Aktualitet

Njëri nga viktimat e aksidentit në Tiranë ishte polic burgjesh e natën, taksist!

Luan Cenollari ishte njëri nga dy viktimat e aksidentit tragjik te kryqëzimi i “21 Dhjetorit” në Tiranë, jeta e të cilit u ndërpre parakohe nga përplasja fatale nga një makinë, drejtuesi i së cilës, 30-vjeçari Emirjan Doko kaloi me semafor të kuq dhe ishte i dehur.

Cenollari, baba i dy fëmijëve punonte si efektiv i Forcave Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve e natën si taksist, për të siguruar më shumë të ardhura për të përballuar koston e jetesës.

Në një postim në Facebook, Sindikata e Shërbimeve Policore të Shqipërisë shpreh ngushëllime dhe denoncon kushtet e punës në policinë e burgjeve, si dhe atë që e cilëson “diskriminim në paga”.

Postimi i plotë:

Sot në ora 03:15, nga një aksident, u nda nga jeta Luan Cenollari, baba i dy fëmijëve, punonjës i Policisë së Burgjeve, me karrierë mbi 20 vite në shërbim.

Aktualisht punonjës i Forcave Operacionale pranë DPBurgjeve. Gjendja e vështirë ekonomike dhe pamundësia për të përballuar koston e jetesës në metropol, kishte detyruar kolegun tonë të ndjerë, që të punonte si taksi në shërbim të qytetarëve.

Pagat e ulëta në polici, mospagesa e orëve shtesë dhe punën në ditët e pushimit javor, detyrojnë kolegët tanë që të kryejnë një punë të dytë pas shërbimit ose të vetëlargohen nga shërbimi për shkak të diskriminimit në pagë e kushte pune!

Vetëm përgjatë vitit 2021, deri në tetor, janë vetëlarguar nga Policia e Burgjeve mbi 220 punonjës dhe ky trend po vazhdon në gjithë sistemin. Të ndalosh pagesën sipas ligjit për punën në të shtuna dhe të diela, të mos paguash ditët tepër mbi 22 ditë/punë, të mos paguash rregullisht ditët e festave zyrtare, t’iu heqësh armatimin e brezit mbi 90% të stafit policor, normal që do priten aksidente e braktisje shërbimi!

Kjo është “dhurata” çnjerëzore që dyshja zaptuese e burgjeve, po i bën punonjësve në sistem. Nëse ka shtet normal, duhet të marrë masa urgjente, që të mos dëgjojmë më lajme të trishta me vdekje të parakohshme në Policinë e Burgjeve!

Sindikata i shpreh ngushëllime të ndjera familjes së kolegut tonë duke garantuar që do gjendet pranë me gjithë mundësitë e saj! Prehu në paqe kolegu ynë i nderuar!

Gjithashtu, nuk munguan postimet prekëse të kolegëve: