Bota

Njeriu më i pasur i Indisë fitoi brenda ditës 3.7 miliardë $!

Njeriu më i pasur i Azisë, Mukesh Dhirubhai Ambani nga India, ka fituar dje brenda ditës  3.7 miliardë $ pas rritjes së vlerës së aksioneve të kompanisë së tij kryesore, me njoftimin e dyfishimit të objektivave për energjinë e pastër, raporton Al Arabiya.

Sipas indeksit të milionerëve të Bloomberg, Ambani është njeriu i 12-të më i pasur në botë me një pasuri prej rreth 93 miliardë $.

Ai drejton kompaninë indiane Reliance Industries, me një nga komplekset e rafinerive të naftës më të madh në botë. Konglomerati i tij merret gjithashtu me infrastrukturën e rrjetit 4G në Indi dhe është furnizuesi kryesor i telefonisë celulare.

Aksionet e familjes Ambani me bazë në Mumbai, përbëjnë pjesën më të madhe të pasurisë së tyre, ndërsa në fundjavë ato u rritën me 4.1 përqind.

I përhapur në të gjithë 29 qytetet kryesore të Indisë, grupi “Reliance Communications” lidh rreth 90 përqind të popullatës se Indise dhe me infrastrukturën e kullave të sinjaleve i shërben dhe kompanive të tjera të telekomit.

Ambani është pronar i klubit profesionist të kriketit Mumbai Indians dhe zotëron prona rezidenciale prej më shumë se 400 milionë $. Në vilën e tij rezidenciale 24-katëshe ai jeton me nënën, gruan e tre fëmijët.