Bota Botë e Çuditshme Tech

Njihuni me Ion, këshilltari i parë robot që përdor inteligjencën artificiale!

Së fundmi kryeministri i Rumanisë Nicolae Ciuca ka prezantuar “këshilltarin e tij robot”, që funksionon me inteligjencë artificiale dhe quhet “Ion”. Ciuca tha se ishte i pari i këtij lloji. I zhvilluar nga studiues rumunë, detyra kryesore e Ionit do të jetë të skanojë rrjetet sociale për të informuar qeverinë në kohë reale për propozimet dhe dëshirat e rumunëve.

Ciuca e përshkroi Ionin si këshilltarin e parë qeveritar që përdor inteligjencën artificiale.

Përshëndetje, ju ma dhatë mua jetën dhe tani roli im është t’ju përfaqësoj juve. Çfarë duhet të di për Rumaninë?

Ion do të përdorë teknologjinë dhe inteligjencën artificiale për të kapur opinionet në shoqëri duke përdorur të dhënat e disponueshme publikisht në rrjetet sociale. Njerëzit në Rumani do të mund të bisedojnë gjithashtu me Ion në faqen e internetit të projektit. Kryeministri u shpreh se:

Unë kam bindjen se përdorimi i AI-s nuk duhet të jetë një opsion, por një detyrim për të marrë vendime më të informuara.

Rikujtojmë, se shtëpia botuese më e madhe gjermane, Axel Springer, ka vendosur të bëjë shkurtime të konsiderueshme të stafit në gazetat Die Welt dhe Bild, sipas një letre sot nga CEO Matthias Deppner, i cili gjithashtu paralajmëron zëvendësimin e gazetarëve me sisteme të inteligjencës artificiale. Siç thekson Deppner në letrën e tij drejtuar punonjësve, shtëpia botuese do të rritet dhe në të njëjtën kohë do të zvogëlojë vendet e saj të punës, në fushat e prodhimit, redaktimit dhe administrimit të dy gazetave.