Auto & Moto

Njihuni me makinën e cila punon me karburant të prodhuar nga mbetjet plastike!

Kompania legjendare italiane e automobilave, “Bertone”, prezantoi supermakinën e saj më të fundit e cila punon me karburant të prodhuar nga mbetjet plastike. Makina sportive quhet “Bertone GB110” dhe përdor një lëndë djegëse speciale, e cila prodhohet si pasojë e konvertimit të materialeve të polikarbonatit që zakonisht gjendet te shishet plastike në karburant të lëngshëm.

Sipas drejtuesve, makina e re është një “vepër arti” dhe me një identitet tërësisht të pakrahasueshëm me paraardhëset e saj. Bertone GB110 do të jetë me seri të limituar dhe do të prodhohen vetëm 33 të tilla, për të shënuar 110-vjetorin e krijimit të kompanisë. Bertone u themelua në vitin 1912 nga projektuesi i automobilave Giovanni Bertone, por në vitin 2014 kompania shpalli falimentin.

Ndërkaq, rikujtojmë se Instituti i Sigurimeve për Sigurinë në Autostrada njoftoi se Volvo XC40 i vetmi SUV i vogël i testuar mori vlerësimin më të lartë të mundshëm sa i përket sigurisë në rrugë që tregon rrezikun minimal të lëndimeve për të gjithë pasagjerët. Për të arritur këtë vlerësim automjetet duhet të tregojnë jo vetëm rrezikun minimal të lëndimeve për pasagjerët e rreshtit të parë, por duhet gjithashtu të tregojnë rrezik minimal lëndimesh edhe për pasagjerët e rreshtit të dytë.