Bota

Njihuni me vendin aziatik ku të pret burgu po nuk u vaksinove kundër koronavirusit!

Në Filipine të pret burgu nëse refuzon të vaksinohesh kundër koronavirusit. Shifrat e ulëta të pjesëmarrjes në qendrat e vaksinimit në kryeqytetin Manila kanë shkaktuar zemërimin e presidentit Rodrigo Duterte, i cili reagoi ashpër me paralajmërime të forta:

Ju zgjidhni, vaksinohuni ose unë do t’ju burgos!

Komentet e Dutertes në një fjalim televiziv bien ndesh me ato të autoriteteve shëndetësore në vendin e Azisë juglindore që kanë bërë thirrje për vaksinim por duke vënë në dukje se “imunizimi është çështje vullneti”.

Në vendin me 110 milionë banorë synohet që brenda vitit të vaksinohen 70 milionë persona kundër koronavirusit por deri dy ditë më parë shifra ishte 2.1 milionë, shumë larg objektivit.

Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte është kritikuar për qëndrimin e ashpër në frenimin e koronavirusit ndërsa i mbetet qëndrimit për të mos hapur shkollat si masë në parandalimin e përhapjes së COVID-19/ës.

Filipinet janë në mesin e vendeve më të goditura nga koronavirusi në Azi. Aty janë regjistruar mbi 1.3 milion raste dhe mbi 23 mijë viktima.