Aktualitet Sociale

Njohja e sigurimeve shoqërore, firmoset marrëveshja Shqipëri-Bullgari!

Firmoset marrëveshja për sigurimet shoqërore, që rregullon sigurimin e shtetasve të Shqipërisë e Bullgarisë kur punojnë në vendet respektive. Duke vlerësuar nënshkrimin e dokumentit, kryeministri Rama vuri në dukje se marrëveshja rregullon dhe sigurimin e shtetasve të Shqipërisë e Bullgarisë kur punojnë në të dy vendet. Po ashtu garanton të drejtat e tyre të sigurimit, pagesës së përfitimeve në rast sëmundjesh ose aksidentesh në profesion, si edhe kushtet për dhënien e llojeve të ndryshme të pensioneve.

Shqipëria shënon një tjetër sukses në njohjen e sigurimeve shoqërore për shtetasit shqiptarë jashtë vendit. Marrëveshja rregullon sigurimin e shtetasve të Bullgarisë dhe Shqipërisë kur punojnë në të dy vendet, garanton të drejtat e tyre të sigurimit, pagesës së përfitimeve në rast sëmundjesh ose aksidentesh në profesion, si edhe kushtet për dhënien e llojeve të ndryshme të pensioneve.

Firmat i hodhën ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj e ministri bullgar i Punës dhe Politikave Sociale, Lazar Lazarov, i cili deklaroi:

Nënshkrimi i marrëveshjes dypalëshe është i rëndësishëm për rregullimin e të drejtave sociale të qytetarëve dhe rregullimin e marrëdhënieve mes institucioneve e bizneseve.  Shpreh besimin se bashkëpunimi tradicionalisht i mirë mes dy vendeve do të vazhdojë.

Gjatë ceremonisë së siglimit u diskutua edhe bashkëpunimi dypalësh e po ashtu u fol për tema që lidhen me tregun e punës dhe emigrimin për motive punësimi. Po ashtu u përmend intensifikimi i negociatave për një projektmarrëveshje ndërmjet dy vendeve për rregullimin e marrëdhënieve të punës dhe lëvizjes së lirë të punëtorëve, të iniciuar nga qeveria bullgare.

Ambasadorja jonë Donika Hoxha vuri në dukje se në Bullgari janë 500 shtetas shqiptarë me qëndrim të përhershëm e afro 300 studentë.