Bota

Nju Jork, zyrtarët ndryshuan numrin e vdekjeve nga COVID në azile

Departamenti i Shëndetësisë në varësi të Guvernatorit Andrew Cuomo në Nju Jork konfirmuan se anëtarët e një grupi pune mbi COVID-19-n, ndryshuan një raport mbi shtëpitë e të moshurave, duke mos pasqyruar numrin e plotë të viktimave nga koronavirusi. Por zyrtarët këmbëngulën që ndryshimet ishin bërë për shkak të shqetësimeve në lidhje me saktësinë e të dhënave.

“Wall Street Journal” dhe “New York Times”, shkruanin se ndihmësit, përfshirë sekretaren e guvernatorit, Melissa DeRosa u kërkuan autoriteteve të shëndetësisë të ndryshonin raportin e muajit korrik, duke përfshirë vetëm ata banorë që kishin vdekur brenda objekteve të kujdesit afatgjatë shëndetësor dhe jo ata që ishin sëmurur aty, por që kishin vdekur më pas nëpër spitale.

Analiza e shtetit bazohej pjesërisht në atë që zyrtarët thanë në atë kohë se ishte një statistikë e pasaktë. Në raport thuhej se 6,432 persona kishin vdekur në shtëpitë e të moshuarëve të shtetit. Zyrtarët shtetërorë pranuan edhe atëherë që numri i vërtetë i vdekjeve ishte më i lartë për shkak të përjashtimit të pacientëve që kishin vdekur në spitale, por ata nuk pranuan në atë kohë të jepnin ndonjë vlerësim mbi numrin edhe më të madh të vdekjeve, duke thënë se shifrat ishin ende duke u verifikuar.

Gazetat “Times” dhe “Journal” raportuan se në fakt projekt-raporti e përfshinte shifrën, më shumë se 9,200 vdekje, për të cilën më pas ndihmësit e guvernatorit Cuomo thanë se duhej të ndryshohej.