Bota Health & Beauty

Nobeli në Mjekësi, vlerësohen David Julius e Ardem Patapoutian!

Amerikani David Julius dhe armeno-amerikani Ardem Patapoutian i lindur në Liban, fituan sot çmimin Nobel në Mjekësi për vitin 2021. Ata u vlerësuan për zbulimin e receptorëve dhe mekanizmave që rregullojnë perceptimin e të ftohtit e të nxehtit.

Rezultatet e arritura janë të rëndësishme në trajtimin e dhimbjeve kronike. Dy biologët molekularë zbuluan sensorë në mbaresat nervore të lëkurës që i përgjigjen nxehtësisë e të ftohtit, si dhe stimujve mekanikë. Këto të fundit, si në lëkurë, ashtu edhe në organet e brendshme.

Në jetën tonë të përditëshme, ndjesi të tilla i marrim për të mirëqena por si veprojnë impulset nervore, në mënyrë që të perceptohet temperatura? Fituesit e Nobelit i dhanë përgjigje pyetjes. Julius e Patapoutian zbuluan mënyrën si lëkura jonë percepton temperaturën e objekteve, si i nxehti dhe i ftohti perceptohen e transmetohen në tru përmes nervave.

Shkencëtarët identifikuan lidhjet e munguara në njohuritë tona, sa i përket ndërveprimit kompleks që kemi me mjedisin nëpërmjet prekjes.

Ky është edicioni i 120-të i ndarjes së Çmimeve Nobel që u hapën sot me akordimin e atij për Mjekësinë, për të vijuar nesër me Fizikën, të mërkurën me Kiminë, të enjten me Letërsinë, të premten me Paqen e të hënën e ardhshme, java mbyllet me Nobelin për Ekonominë.