Celebrities Lancio Music Showbiz

Nonejm, artisti i cili do të mbetet i fshehtë gjatë gjithë karrierës së tij!

I ftuar në emisionin “Lancio” ishte artisti Nonejm, i cili njihet nga portalet si “Unikkatil Junior”. Ai është pjesë e tregut muzikor që nga viti 2016 me 8 videoklipe të rrymës hip-hop.

Pse ke zgjedhur ta mbash identitetin tënd të fshehtë? Apo mendon që vëmendjen duhet ta marrë vetëm këndimi dhe jo emri juaj?

Emri nuk është me rëndësi por vëmendja është te muzika. Unë kur kam filluar të merrem me muzikë, jam marrë edhe me gjëra të tjera edhe ka qenë e pamundur që ta ekspozoja emrin tim para familjes time që kishte investuar për shkollimin tim.

Për cfarë keni studiuar?

Unë jam artist edhe nga ana e dizajnit grafik, punoj edhe me marketing online, por fokusin e kam te muzika. Emrin nuk e kam paraqitur sepse nuk kam dashur që familja ime ta dijë se bëj muzikë, këngët e mia mund t’i dëgjojë kush të dojë pa e ditur se kush jam. Madje edhe sot më pëlqen ta mbaj jetën time private.

Epiteti ‘Unikkatil Junior’ çfarë simbolizon për ty?

Kjo ka qenë paraqitja ime e parë në një emison kosovar dhe kur kam shkuar kam qenë me një maskë dhe askush nuk e dinte kush jam. Në momentin që ka dalë videoja në rrjete sociale të gjithë më kanë krahasuar me Unikatilin, pasi edhe ai në fillimet e tij nuk është paraqitur me fytyrë.

A dëshiron ti që të mbetesh tërë jetën i tillë?

Unë artin sot e shoh më shumë për artistin. Duket sikur artistët sot thonë: ‘Mos shikoni projektin por shikoni se çfarë kam veshur unë.’ Arti vlerësohet si mekanizëm për të mbajtur veten në skenë, por unë mendoj se fokusi duhet të jetë tek projekti jo tek artisti. Veprat e mëdha të Da Vincit dhe Mikelanxhelo-s janë njohur për veprat jo për artistin.

Sa e gjen veten si një artist që nuk e vret mendjen për dukjen apo ato klikimet aq shumë të dëshirueshme?

Të ardhmen nuk e di si do e doja. Unë kryesisht punën që e bëj si artist, e di që e bëj dhe e njoh shumë mirë. Unë mendoj që i kam bërë 10 mijë orë punë dhe në të ardhmen kam dëshirë që të cilësohem si pjesë e historisë së hip-hopit dhe që i kam infleuncuar të tjerët jo për tu bërë të famshëm por ‘heronj’ për të frymëzuar edhe gjeneratat e tjera.

Cila janë disa emra artistësh që do të doje të bëje një bashkëpunim dhe çfarë projektesh ke për të publikuar së shpejti?

Unë jam i hapur të punoj me artistë nëse më pëlqen projekti. Kam punuar me artistë që nuk kanë shumë klikime dhe e kam bërë klipin me të vetëm se më ka pëlqyer projekti. Së shpejti do të lançoj edhe këngën “Dragon Ball” që e kam publikuar një fragment të saj, por më duhet ta ripërpunoj akoma projektin. Përveç saj kam edhe një bashkëpunim me një artist të ri që publiku e do shumë dhe besoj se do të dalë diçka shumë e mirë.