Bota

Nordikët bëhen bashkë, Norvegjia, Danimarka dhe Islanda: Nëse preket Finlanda dhe Suedia ne ‘jemi gati’.

Norvegjia, Danimarka dhe Islanda kanë thënë se do të “qëndrojnë gati” për të mbrojtur aplikantët e NATO-s Finlandën dhe Suedinë në rast të një sulmi.

“Së bashku me Danimarkën dhe Islandën, Norvegjia është e gatshme të ndihmojë fqinjët e saj nordikë me të gjitha mjetet e nevojshme nëse ata janë viktimë e agresionit në territorin e tyre përpara se të anëtarësohen në NATO”, tha Jonas Gahr Stoere, kryeministri i Norvegjisë.

Kryeministrja e Suedisë Magdalena Andersson njoftoi më herët se vendi i saj do t’i bashkohej Finlandës në kërkimin e anëtarësimit në NATO pas pushtimit rus të Ukrainës.

Njoftimi i Suedisë vjen një ditë pas shteti tjetër nordik, Finlanda, që ndan një kufi prej 1,300 kilometrash me Rusinë, bëri njoftim të ngjashëm. Finlanda, sikurse Suedia, janë shtete neutrale. Finlanda kishte humbur afër 10 për qind të territorit të saj në Bashkimin Sovjetik.

Pavarësisht se janë shtete neutrale, si Finlanda ashtu edhe Suedia, kanë bërë lëvizje të shpejta për t’u anëtarësuar në aleancën ushtarake, teksa janë rritur shqetësime për shkak të agresionit ushtarak të Rusisë.

Por, Kryeministrja suedeze  ka deklaruar gjatë një konference ditën e sotme se Evropa dhe Suedia po jetojnë tani në një realitet të ri dhe të rrezikshëm, por megjithatë tha se Suedia nuk dëshiron baza të përhershme ushtarake të NATO-s apo armë bërthamore në territorin e saj nëse anëtarësimi i saj miratohet.

Njoftimi erdhi pasi një debat në parlament tregoi se kishte mbështetje të madhe për anëtarësimin në NATO.