Bota

Norvegji, autori i sulmit të pazakontë me shigjetë ishte radikalizuar!

Detaje të reja për sulmin e pazakontë që tronditi Norvegjinë. Një danez 37-vjeç, i cili ishte konvertuar në fenë islame dhe ka patur shqetësime lidhur me radikalizimin e tij, qëndron pas ngjarjes së rëndë me 5 viktima e 2 të plagosur. Mësohet se me një shigjetë, ai shënjestroi kalimtarët në zona të ndryshme të qytetit Kongsberg, në juglindje të Norvegjisë. Më pas u arrestua dhe u dërgua në burg, në Drammen.

Gjatë marrjes në pyetje, mësohet se agresori u tregua bashkëpunues me forcat e rendit dhe pranoi se është ndjerë “i goditur” nga situata. Viktimat e grupmoshës 50-70/vjeç ishin 4 gra dhe një burrë, ndërsa 2 të lënduarit ndodhen në spital, në terapi intensive. Mes të plagosurve, një efektiv policie, i cili ndodhej jashtë një dyqani e nuk ishte në shërbim, në momentin e sulmit.

Që në fillim, autoritetet norvegjeze nuk përjashtuan pistën e terrorizmit. Sulmi ndodhi dje rreth orës 18:30, në qendër të Kongsbergut e në pak kohë, në vendngjarje shkuan dhjetëra autoambulanca, makina policie e një helikopter për të patrulluar zonën nga lart. Agjentët njoftuan se “ishin të shumta skenat e krimit”.
Identiteti i viktimës nuk jepet por faqja “Terror Alarm” flet për një sulm të paralajmëruar pasi në kanalin e tij në YouTube, ditë më parë, 37-vjeçari njoftonte synimet për të vrarë njerëz e shfaqte aftësitë për të përdorur shigjetën me hark.

Kur flitet për Norvegjinë, në vendin nordik ende është e gjallë frika nga atentatet e ekstremit të djathtë, me autor Anders Behring Breivik. Më 22 korrik 2011, ai vrau 77 vetë në një masakër në ishullin Utoya kundër një manifestimi të të rinjve laburistë, por më parë kishte shpërthyer një bombë pranë selisë së qeverisë në Oslo.