Sport

Novak Xhokoviç e pranon se shkeli masat anti-COVID!

Tenisti serb, Novak Xhokoviç e pranoi se gaboi kur vendosi të intervistohet nga një gazetar francez, ndonëse ishte i infektuar me koronavirus. Gjithashtu, konfirmoi se një anëtar i stafit bëri deklarata të rreme para Qeverisë australiane rreth historisë së tij të udhëtimit. Në deklaratë u tha se Xhokoviç nuk ka udhëtuar në 14 ditët e fundit para se të mbërrinte në Australi, edhe pse ka qenë në Serbi, përpara se të nisej nga Spanja.

Tenisti serb i pavaksinuar kundër koronavirusit, ende është në pritje për të marrë apo jo pjesë në Australian Open. Në një mesazh të postuar në Instagram, 34-vjeçari bëri të ditur se stafi i tij i ka dhënë informacion shtesë autoriteteve australiane, të cilët po shqyrtojnë rianulimin e vizës dhe dëbimin e Xhokoviçit.

Ne jetojmë në kohë të vështira me një pandemi globale dhe gabime ndonjëherë ndodhin.

Në Melburn të Australisë, ai mbërriti më 5 janar, duke kërkuar përjashtimin nga vaksinimi kundër COVID-it, për shkak të një testi pozitiv të datës 16 dhjetor. Një ditë më vonë, tenisti është parë pa maskë, në një aktivitet të organizuar në Beograd për tenistët e rinj. Në postimin në Instagram, Xhokoviç nuk ka përmendur ceremoninë në kryeqytetin serb, por thotë se e kuptoi më 17 dhjetor se u infektua, vetëm pasi mori pjesë në ceremoni.

Më 18 dhjetor anuloi të gjitha planet, edhe pse vendosi të japë intervistë për gazetën franceze, L’Equipe e të bëjë disa fotografi.

E vlerësova si detyrim të vazhdoj me intervistën, sepse nuk doja t’i prish planet gazetarit, por mbajta distancën fizike dhe kam pasur maskë, edhe pse më janë bërë fotografi.

Më 10 janar, një gjyqtar australian vendosi që Novak duhet të lejohet të luajë në Australian Open, më 17 janar e të dalë nga karantina, por për qeverinë, ai ka shkelur rregullat e masat anti-COVID e duhet të largohet nga territori australian. Ndërkaq, tenisti ka siguruar një dokument mjekësor të lëshuar në Australi nga përfaqësues të sportit të tenisit. Përmes tij i mundësohet të shmangë kufizimet, pasi ka deklaruar se është infektuar me koronavirus muajin e kaluar. Ministri australian për Emigracionin, Alex Hawke, paralajmëroi se është duke konsideruar mundësinë e ushtrimit të pushtetit ekzekutiv për ta dëbuar Xhokoviçin.