Health & Beauty Lifestyle

“Nuk e di nëse është COVID që më trishton…”/Depresioni dhe ankthi gjatë pandemisë!

Numri i njerëzve që vuajtën nga depresioni në mbarë botën u rrit me 28% në vitin 2020 gjatë pandemisë, duke arritur në rreth 246 milionë raste dhe numri i atyre që vuajtën nga ankthi u rrit me 26%. Këto janë përfundimet e një sondazhi të revistës mjekësore ‘Lancet’ që përdori të dhëna nga studimet e mbledhura në Amerikën e Veriut, Evropë dhe Azinë Lindore.

Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Laurel Bowman, studimi arriti në përfundimin se gratë u prekën më shumë se burrat nga këto sëmundje mendore. Pasojat e bllokimeve, mbylljeve të shkollave, bizneseve dhe përhapja e virusit në përgjithësi janë ndër faktorët që sollën rritjen. Margaret Sullivan, 87-vjeçe, ka mbetur e bllokuar në shtëpi duke u kujdesur për burrin e saj 92-vjeçar.

Ka ditë kur jam vërtet e trishtuar. Por nuk e di nëse është COVID që më trishton apo gjërat e tjera që do të ndodhnin gjithsesi. Për ne që nuk na kanë mbetur shumë vite jetë, është një vit i humbur.

Të moshuarit mund të jenë veçanërisht të rrezikuar si nga izolimi ashtu edhe për t’u prekur më rëndë nga virusi. Por ekspertët e shëndetit mendor thonë se po shohin më shumë probleme mes të rinjve. Sipas revistës “JAMA Pediatrisc”, gjatë vitit të parë të pandemisë, vlerësohet se 1 ndër 4 të rinj përjetuan simptoma të shumta të depresionit në shkallë globale, ndërsa 1 ndër 5 të rinj përjetuan rritje të ankthit.

22-vjeçarja Eva Zarpas i bëri klasat virtualisht gjatë COVID-19 në universitet. Ajo thotë se për shkak të izolimit, ka vuajtur më shumë nga ankthi dhe depresioni që i kishte edhe më parë.

Pamundësia për të qenë mes njerëzve siç ishim mësuar, ndikoi. E kisha të vështirë edhe të çohesha nga shtrati. Preferoja të flija sepse nuk doja të isha zgjuar dhe të mendoja se sa doja të isha me njerëz të tjerë, por nuk mundesha.

Sipas Shoqatës Amerikane të Psikologjisë, kërkesat për trajtim për çrregullimet e ankthit janë rritur që nga fillimi i pandemisë. Për të pasur një jetë sa më të shëndetshme, shumica prej nesh përpiqen të konsumojnë një dietë të pasur me vlera ushqyese dhe të bëjnë aktivitet fizik disa herë në javë. Padyshim që këto janë mënyra efektive për t’u kujdesur për shëndetin tuaj fizik por, duket se ne po neglizhojmë shëndetin mendor. Fatkeqësisht, dimri mund të jetë sfidues për njerëzit që përballen me probleme të shëndetit mendor.

Jo vetëm që është më ftohtë, por ka edhe më pak orë në ditë dhe mundësi për të kaluar kohë jashtë. Kështu që, është e rëndësishme të kujdeseni për shëndetin tuaj mendor gjatë kësaj periudhe të vitit dhe jo vetëm. Ekspertët ndajnë këshillat e tyre më të mira për të mbajtur nën kontroll shëndetin tuaj mendor.