Rajoni

Nuk gjendet varrezë masive në Shtaval të Serbisë!

Në fshatin Shtaval të komunës së Sjenicës në Serbi, përfunduan pa gjetje të mbetjeve mortore, gërmimet që nisën më 10 maj. Në këtë zonë, u zhvilluan gërmime, në kërkim të një varreze masive me trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kërkesën për të kontrolluar aty e dërgoi Prishtina zyrtare.

Duke folur për mediat, Velko Odaloviç nga Komisioni i Qeverisë së Serbisë për Personat e Zhdukur, tha sot se “pas kërkimeve, nuk janë gjetur mbetje”. Odaloviç konfirmoi se “në të ardhmen, kërkimet për varreza masive do të vazhdojnë sipas kërkesave”, por kërkoi të njëjtën gjë edhe nga Prishtina zyrtare.

Nuk ka dallime mes viktimave. Si familjet shqiptare, ashtu edhe ato serbe, kanë të njëjtën të drejtë që të dinë se çfarë ka ndodhur me të afërmit e tyre. Kjo është arsyeja se përse po kërkojmë të intensifikohet puna për këtë proces edhe në Kosovë.

Ky vend i dyshuar për varrezë masive u kontrollua pasi përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Kosova siguroi imazhe satelitore.
Kur nisën kërkimet, në njoftimin e qeverisë së Kosovës thuhej:

Gërmimet filluan kur në fund të javës së kaluar, përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq u siguruan imazhet satelitore, të cilat ditët në vijim do të analizohen nga ekspertët, me qëllim saktësimin e vendit të mundshëm të varrezës masive.

Në ditën e parë të gërmimeve vlerësuese, nga pala kosovare ishin të pranishëm përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ekspertë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, zyrtarë nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, si dhe nga Qendra për Personat e Zhdukur.

Zyrtarët kosovarë kishin ngritur vazhdimisht dyshime për ekzistencën e një varreze masive në fshatin Shtaval të Serbisë. Kjo u përforcua kur në Kizhevak, në komunën e Rashkës, pranë kufirit me Kosovën, më 16 nëntor 2020 u gjetën eshtrat e një numri civilësh shqiptarë, të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Sipas të dhënave të organizatave joqeveritare, në varrezat masive në Serbi janë gjetur trupat e rreth 1 mijë kosovarëve të vrarë. Afro 1 mijë e 600 vetë ende rezultojnë të zhdukur në Kosovë, kryesisht nga komuniteti shqiptar.