Celebrities Music

Nuk ishte parë që nga koha e faraonëve, brenda spektaklit madhështor për hapjen e “Bulevardit të Zotave” në Egjipt!

Një natë e tillë, në Egjipt, ndoshta nuk ishte parë që nga koha e faraonëve. Një spektakël madhështor me pjesëmarrjen e qindra figurantëve ishin skenari me të cilin vendi i Afrikës veriore përuroi rikonstruktimin e një prej rrugëve më të njohura të Egjiptit të lashtë, i ashtuquajturi Bulevardi i Sfinksave, ose edhe Bulevardi i Zotave.

Bëhet fjalë për një rrugë rreth dy kilometra e gjatë, e ndërtuar fillimisht 3 mijë vjet më parë dhe që lidhte tempullin e famshëm të Luksorit me atë të Karnak, kur qyteti i Luksorit në jug të vendit ishte kryeqendra e kulturës egjiptiane.

Bulevardi ishte i rrethuar nga sfinkse të shumta, rreth 1 mijë statuja tashmë të rikontruktuara duke shndërruar ketë rrugë në një atraksion fantastik për turistët e shumtë që priten. Rruga antike përdorej mijëra vite më parë për disa nga ceremonitë më të shenjta egjiptiane, ku i bëheshin homazhe disa prej zotëve më të rëndësishëm dhe mbahej festivali Opet, ku njerëzit falënderonin zotet për begatinë e dhënë nga lumi Nil, por edhe për faktin që kishin shpëtuar nga përmbytjet e tij. Rruga ndër shekuj ishte lenë në harresë, e mbuluar nga pluhuri dhe inertet dhe u rizbulua vetëm në vitin 1949.

Ceremonia filloi në mesnatë, një orar i pazakontë por i vendosur nga vetë presidenti egjiptian Abdel Fatah el-Sissi për të risjellë traditën e festës tradicionale të lashtësisë. Angazhimi i presidentit dhe fondet pa kursim për realizimin e rindërtimit kanë gjeneruar edhe disa kritika.

Në mars një ceremoni e ngjashme, por në Kairo, zhvendosi 18 mbretër dhe mbretëresha të lashtësisë në një muze të ri dhe kritikët e pushtetit të ish-gjeneralit e akuzojnë atë se po përdor zotat e lashtësisë për të dhënë sinjalin që pushteti i tij i ngjason pikërisht atij të një faraoni.