Bota

Nuk ka fitues të qartë të zgjedhjeve në Suedi!

“Në Suedi është shumë i ngushtë për t’u shpallur, rezultati i zgjedhjeve parlamentare të një dite më parë”. Kjo theksohet sot nga kryeministrja suedeze, Magdalena Andersson. Fillimisht, sondazhet parashikuan fitoren e koalicionit të krahut të majtë që është në pushtet. Por, më pas rezultatet sugjeruan se mund të fitojë blloku i krahut të djathtë.

Emigracioni dhe veprat penale ishin dy çështjet kyçe të fushatës elektorale. Forca politike e ekstremit të djathtë, Demokratët e Suedisë, synon të bëhet partia e dytë më e madhe në vend. E krijuar nga një lëvizje neo-naziste në fund të viteve 1980, subjekti i njohur për qëndrimet kundër emigracionit, hyri në Parlament me 5.7 për qind të votave më 2010-ën, duke u rritur më pas në 17.5 për qind në vitin 2018. Kësaj here synon të sigurojë më shumë se 20 për qind.

Megjithatë, lideri i saj, Jimmie Akesson, nuk pritet të bëhet kryeministër edhe nëse blloku i krahut të djathtë siguron numrin më të madh të deputetëve në parlamentin suedez. Lideri i Partisë së Moderuar, Ulf Kristersson mund të drejtojë qeverinë, në rast se Demokratët e Suedisë bëhen pjesë e kabinetit të tij. Procesi i numërimit të të gjitha votave mund të zgjasë deri të mërkurën.

Demokratët Socialë të kryeministres aktuale Andersson kanë qeverisur Suedinë prej vitit 2014, teksa krahu i përfaqësuar prej saj e ka dominuar skenën politike prej viteve 1930.

Dalja në zgjedhjet e 11 shtatorit besohet se ka qenë e lartë, pasi mbi 80 për qind e 7.8 milion banorëve me të drejtë vote duket se shfrytëzuan të drejtën për të zgjedhur. Fushata zgjedhore u dominua edhe nga rritja e numrit të të shtënave me armë zjarri nga bandat kriminale e rritja e çmimeve të energjisë elektrike.  Ndonëse fillimisht dhuna u konstatua vetëm në disa lokacione, më vonë u zgjerua në hapësira publike, të tilla si parqe e qendra tregtare, duke rritur shqetësimet mes banorëve suedezë, pasi shteti i tyre njihet si vend i sigurt dhe paqësor.