Bota

Nuk ka më dyshime, Elon Musk do të rikthejë në Twitter, ish-presidentin Donald Trump!

Drejtori ekzekutiv i kompanisë Tesla, Elon Musk, zyrtarisht tha se do të heqë ndalimin e vendosur në Twitter ndaj ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Deklaratën, e bëri në konferencën me temë: “E ardhmja e makinave”, që u organizua nga gazeta “Financial Times”.

Musk, i cili e quan veten “përkrahës absolut të fjalës së lirë”, si dhe “mbrojtës të paepur të amendamentit të parë”, kohët e fundit arriti një marrëveshje për ta blerë këtë platformë të medias sociale, me një çmim prej 44 miliard dollarësh. Për të, Twitter nuk po e përmbushte potencialin si një platformë të fjalës së lirë.  Gjithashtu, njeriu më i pasur në botë ndau pikëpamjen për efektet e ndalimit të ish-shefit të Shtëpisë së Bardhë në Twitter:

Vendimi për ndalimin, nuk e bëri të heshtë ish-presidentin Trump, madje i përforcoi pikëpamjet në radhët e atyre që i përkasin kahut të djathtë në politikë. Masa e ndalimit ishte moralisht e gabuar dhe krejtësisht e trashë.

Më 6 janar 2021, Donald Trump u pezullua në mënyrë të përhershme nga platforma Twitter, pak pas trazirave në Kongresin Amerikan, ku ai nxiti mijëra njerëz të zemëruar drejt Kongresit, në një nga ditët më të errëta të historisë amerikane.

Turma e zemëruar hyri në ndërtesën e Kapitolit e kërkonte ligjvënësit dhe në veçanti Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi e ish-zv.presidentin Mike Pence. Kongresi ishte mbledhur për të zyrtarizuar fitoren e demokratit Joe Biden përballë Donald Trump-it në zgjedhjet presidenciale të datës 3 nëntor 2020.

Turma ngriti podiume për varje në litar, sulmoi policinë dhe gazetarët, vandalizoi e plaçkiti zyra. Dhuna dhe kaosi lanë pesë të vdekur, 138 policë të plagosur e gjithashtu çuan në ngritjen e akuzave ndaj 720 pjesëmarrësve, si dhe në hapjen e procesit kundër Trump-it, vetëm pak ditë para se të largohej nga posti i presidentit të SHBA-ve. Ndërsa bëri të ditur vendimin, kompania Twitter citoi “rrezikun për nxitje të mëtejshme të dhunës”.