Sport

Nuk ka më dyshime, Ronaldo mbetet i Juventusit!

Fund dilemave e zërave që e shihnin larg Juventusit! Pas Europianit e pushimeve të zgjatura, CR7 u kthye dje në Torino ku sot u paraqit në qendrën stërvitore të klubit bardhezi. Rreth orës 08:30 minuta të mëngjesit, ylli portugez mbërriti në Continassa për testet e nevojshme fizike e për t’iu bashkuar pjesës tjetër të skuadrës.

Gjithashtu pritet një takim me Massimiliano Allegri-n për të qartësuar qëllimet e lojtarit e nevojat e trajnerit që ta përballojnë sa më mirë sezonin. Në të kaluarën, ata patën jo pak probleme mbi pikëpamjet për lojën.

Ky do të jetë sezoni i katërt dhe me shumë gjasa i fundit i portugezit me fanellën e Juventusit, pasi kontrata i skadon pikërisht verën e ardhshme dhe deri tani asnjë nga palët nuk ka shfaqur interes apo dëshirë për të rinovuar.

Madje u përfol largimi i Ronaldos që këtë verë por Juventusi refuzoi ta lërë të lirë dhe asnjë klub në Europë nuk tregoi gatishmëri të paguajë për kartonin e tij apo pagën e majme 31.5 milionë euro në sezon që përfiton te bardhezinjtë.

Verën e ardhshme, Ronaldo do të largohet si lojtar i lirë, por mbetet të shihet nëse do të vijojë karrierën në nivele të larta në Europë apo do të transferohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.