Aktualitet

Nuk ka orë policore më 31 dhjetor, por qytetarëve iu kërkohet kujdes!

Ndërsa për shqiptarët është vendosur të mos ketë orë policore natën e ndërrimit të viteve, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu apelon që qytetarët të kenë shumë kujdes. Manastirliu kujton se “pavarësisht se nuk është në fuqi ora policore, sot respektimi i masave përbën përgjegjësi individuale”.

Eshtë një vendim që u bazua duke iu referuar situatës epidemiologjike në vend dhe situatës në tërësi të pandemisë së COVID-it. Kërkohet një kujdes i shtuar, kemi rekomanduar që festat të jenë me familjen e vogël me sa më pak shkëmbime dhe të jenë me masa mbrojtëse e me vaksinë. Zbatimi i masave është edhe një përgjegjësi individuale e sociale.

Më 31 dhjetor vijnë të tjera doza të vaksinës Pfizer.

Bëhet fjalë për 375 mijë vaksina Pfizer, që vijnë në fund të dhjetorit në Shqipëri falë mbështetjes së Bashkimit Europian. Ne jemi në pritje të finalizimit të negociimit të kontratës së re me kompaninë Pfizer për vitin 2022, kur pritet të kemi rreth 1.5 milion doza.

Nga ana tjetër, ministrja theksoi se “përsa i përket instrumentit COVAX, ne jemi të përfshirë si një vend me vetëfinancim”.

Jemi aktualisht në pritje të rreth 500 mijë dozave të vaksinave. Ne presim të informohemi nga vetë instrumenti se cilat janë vaksinat e miratuara. Çdo shtet, pjesë e instrumentit të COVAX-it me vetëfinancim, zgjedh vaksinat që merr nga instrumenti. Instrumenti ofron shumë vaksina. Me sa jam informuar, deri më sot vaksinat që janë ofruar nga ky instrument janë vaksina AstraZeneca, Pfizer ku edhe kemi përfituar në një raund e gjithashtu edhe vaksina të reja si Novovax, Sinovac e Sinofarm. Por, mbetet në vlerësimin e vendeve, të cilat pasi marrin informacion nga instrumenti COVAX se cilat janë vaksinat që vendet duan të përfshihen, atëherë ata bëjnë të mundur disponibilitetin.

Lidhur me vaksinën turke, ministrja Manastirliu tha se “aktualisht nuk kemi një thirrje nga instrumenti për vaksinën turke, por nëse do ta kemi, do ta vlerësojmë nëpërmjet Komitetit tonë të Ekspertëve”.

Ndërkohë, janë 20 mijë persona që vaksinat i kanë marrë jashtë. Për t’i njohur vaksinimin, i jepet mundësia të gjithëve të regjistrohen në e-Albania e të marrin certifikatën e vaksinimit. Gjithashtu, kujtojmë se nga 4 janari, të gjithë punonjësit e administratës apo supermarketeve, duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose në rast të kundërt, test negativ COVID-i. Javët e fundit ka një rënie të numrit të shtrimeve në spital nga koronavirusi. Janë rreth 15 persona në ditë që kërkojnë ndihmë mjekësore. Ndërkohë, mjekët shikojnë si problem paraqitjen e të sëmurëve në spital 10 ditë pas infektimit dhe duke mos marrë asnjë mjekim.