Celebrities Music Showbiz

“Nuk ke pa ti si unë” thotë Ajsel Abazi në këngën e saj të re, jo pak provokuese!

Ajsel Abazi, një artiste e re në moshë, sapo ka publikuar këngën e saj të titulluar “Si unë”. Ky projekt veror dhe komercial e rikthen artisten në sytë e pubikut pas një mungese disa vjeçare. Në moshën 15-vjeçare, gjatë kohës që studionte për kanto, Ajsel mori pjesë në “The Voice of Albania” e cila u kualifikua deri në gjysmëfinalen e këtij formati. Dhe një vit më vonë ajo mori pjesë në “Top Fest 10”, me këngën “Nuk ka më lot”, ku u vlerësua me çmimin “Best Pop & RnB”. Ajsel ishte sot për herë të parë në “Wake Up” për të folur mbi projektin e ri dhe për angazhimet e tjera që ajo do të ketë me muzikën në vazhdim.

Ajsel ku ke qënë gjithë këto vite që nuk je dukur në tregun muzikor, je përkushtuar më shumë me ndonjë tjetër angazhim?

Bëra një pauzë sepse isha ende shumë e vogël dhe nuk ndihesha ende gati pasi konkurrova në “The Voice”. Kur provova skenën e “Top Fest” mendova që është momenti për të bërë një pauzë dhe t’i përkushtohesha studimeve. Unë mbarova për psikologji dhe kjo mbetet një pasion i imi.

Pse zgjodhe pikërisht këngën “Si unë” për t’u rikthyer në muzikë?

Mendova që tani jam gati, nuk do thoja që jam ende në më të mirën time, por mendoj që jam gati dhe kjo mjafton. “Si unë” është komerciale, verore dhe doja të dilja në plazh në klip meqë tani është dhe sezoni. Më pëlqen të bëj këngë komerciale, larg baladave. Unë nuk kam sjellë kurrë këngë me klip dhe doja të provoja veten, të dija dhe si do të reagonte publiku. Por mendoj se ka shkuar mirë. Kënga flet për një vajzë që është konfidente dhe u mundova që ta përshtas sa më mirë.

Melodinë dhe tekstin e këngës ti ke zgjedhur që t’i bësh vetë. Sa të rëndësishme janë këto të dy elementë për ty si artiste?

Ka shumë artistë të mirë që u bëjnë tekste artistëve të tjerë. Unë doja që të dilja më autentike, që të dilja sa më vetëvetja tek njerëzit. Por pa dashur që të gjykoj artistët që ua bëjnë të tjerët tekstet, sepse mbase nesër mund ta bëj dhe unë këtë gjë.

Cilët këngëtarë shqiptarë që i ke më të preferuar dhe pse jo do ishe shumë mirënjohëse për të realizuar një bashkëpunim?

Shqiptarët në përgjithësi janë shumë të talentuar, aq më tepër në muzikë dhe na e kanë bërë shumë të vështirë që të veçojmë vetëm një. Për shembull, Dafina është shumë e mirë në çdo aspekt, gjithashtu dhe Kida, Xhensila… janë disa që janë shumë të mira që nuk mund t’i veçoj.

Do të vijosh me projekte të reja muzikore, ke ndonjë këngë tjetër gati, planet për ndonjë videoklip të ri?

Kur i futesh kësaj rruge duhet të nxjerrësh këngë vazhdimisht. Por mendoj se është ende herët që të lançoj një këngë tjetër kur nuk është ezauruar akoma e para. Megjithatë, e kam në plan.

Nëse edhe juve ju pëlqen “Si unë”, mund të vazhdoni që ta votoni atë për të qenë sa më gjatë në klasifikimin e 100 këngëve më të mira shqiptare në “The Top List”, Top Awards.