Sot e ftuar në emisionin “Pardon My French” në Top Albania Radio ka qenë artistja e njohur, Era Rusi. Këngëtarja ka treguar më shumë detaje në lidhje me karrierën e saj muzikore dhe gjithashtu ka zbuluar gjithçka rreth këngës së saj më të re e cila titullohet “Kur të merr malli”. Duke qenë që Era Rusi ka shumë bashkëpunime me artistë mjaft të njohur në vendin tonë, kjo vjen për shkak të miqësisë apo vetë Era vendos që një projekt ta bëjë me këtë artist?
Dua thjesht të bëj një këngë të bukur. Kjo është ideja pastaj “Telat e zemrës” me Remzien janë bërë krejt në mënyrë spontane kënga “Dasma ime” me Yllin me të cilin kam edhe një super bashkëpunim dhe dua ta falenderoj. Me Dadën është komplet tjetër gjë sepse pa e dëgjuar këngën tha ‘Po’. Të gjitha bashkëpunimet kanë qenë për të prekur pak nga të gjitha trevat shqiptare sepse mund t’i bëj të gjitha.
Si e ka përjetuar Era Rusi lajmin e Tina Turner e cila ndërroi jetë?
Kam qarë, nisa të shkruaja diçka në rrjetet e mia sociale por përfundova duke mos shkruar asgjë sepse fillova të shkruaja më dilte një roman dhe e lashë fare sepse u ngarkova shumë. Për mua Tina Turner është artistja më e madhe. Ka qenë dhe është frymëzimi im që në fillimet e mia. Kënga e saj “Simply the best” është një ogur shumë i mirë për mua, unë koncertet e mia i nis gjithmonë me atë sepse më jep një lloj energjie. Kam një peng që nuk arrita dot ta shikoja kurrë live në skenë. Kam dashur shumë ta shoh, kur u rrita unë dhe u bëra për të shkuar për ta parë ajo u tërhoq nga muzika. Pastaj ajo ishte vetëm në këto eventet e bamirësisë që krijoheshin.
Më pas duke folur për muzikën në përgjithësi ajo u shpreh:
Nuk ka rëndësi eventi apo emri i koncertit apo i organizimit. Mua po edhe shumë artistë të tjerë që janë këngëtar të muzikës live na ka marrë malli të rikthehet muzika e vërtetë. Na ka marrë malli që edhe diskotekat shqiptare të rikthejnë muzikën full live dhe full band. Dikur, jo shumë vite më parë ne kishim më shumë lokale që bënin muzikë live që kishin edhe një band. Personalisht kjo nuk është çështje pagesash por është sodisfaksion profesional nëse do të ishte një ambient ku vërtet publiku dashuronte atë që shikonte, muzikën pop dhe rock që unë bëja në atë kohë natyrisht nuk isha kaq e njohur nëse mund ta them kështu sepse më njihnin vetëm brenda për brenda Tiranës dhe ata që vinin atje. Nuk kisha koncertet që kam sot, nuk kisha të ardhurat që kam sot por kisha një shpirt shumë më plot sesa sot.