Travel

Nuk lejohet alkooli në Katar thatë ju?! Anglezët gati më shumë se kurrë për të “thyer” rregullat…

Nga 20 nëntori deri më 18 dhjetor, Katari do të jetë epiqendra e Botës, pasi të gjithë do t’i kenë sytë aty ku do të mbahet Kampionati Botëror i Futbollit. Katari përgatitet prej vitesh për të zhvilluar në mënyrën me të mirë të mundshme një ngjarje të tillë, duke ndërtuar nga fillimi stadiume, hotele, madje edhe qytete, për të pritur tifozët.

Megjithatë, anglezët duket se kanë gjetur një tjetër mënyrë për t’u akomoduar. Kroçera luksoze, MSC World Europa, me vlerë më shumë se 1 miliard paund, do të ankorohet në Portin e Duhas, sipas Daily Mail. Aty pritet të qendrojnë gjatë këtij muaji të dashurat dhe të afërt të futbollistëve të kombëtares së “Tre Luanëve”.

Edhe pse do të qëndrojnë mbi ujë, atyre nuk do t’u mungojë asgjë, madje luksi është në plan të parë. Kroçera ka 6 pishina, 14 xhakuzi, fushë basketbolli, një zonë patinazhi e shumë mundësi të tjera argëtimi. Gjithashtu, aty ndodhen edhe 13 restorante e bare. Një tjetër arsye më shumë për anglezët, të cilët nuk do të kenë asnjë penalizim nga ligjet e Katarit, ku nuk lejohet alkooli.

Rikujtojmë, se organizatorët e Kupës së Botës në Katar vendosën të lejojnë shërbimin e birrës me alkool për tifozët e futbollit në stadiumet dhe zonat e tifozëve. FIFA ka sqaruar se tifozëve do t’iu lejohet blerja e birrës me alkool brenda tetë stadiumeve para dhe pas ndeshjeve dhe vetëm në hapësirat e festivalit zyrtar “Fan Festival”.

Tifozëve u është premtuar qasje në blerjen e shampanjës, birrës dhe rakisë, kurse klientëve në Katar do t’iu ofrohet edhe zbritje nga ofertat e kompanive. Alkooli është më i përdorur në Katar se sa në disa shtete të Lindjes së Mesme, megjithëse shërbehet vetëm në restorantet dhe baret e hoteleve që kanë licenca, pasi është e paligjshme ta konsumosh diku tjetër.