Rajoni

Nuk lejojnë futjen e kryetarëve në zyrë, serbët mblidhen sërish në Zveçan

Tensionet në veri duket se akoma nuk kanë marrë fund. Këtë të premte protestuesit serbë janë mbledhur para komunës së Zveçanit dhe kanë nisur të nënshkruajnë duke e arsyetuar veprimin se pse “nuk po lejohen të hyjnë në objektin e komunës”.

Është dita e gjashtë e protestave në Veri dhe serbët kundërshtojnë ushtrimin e detyrës së kryetarëve të komunave në tri komuna në veri, nga objektet komunale.

Tensionet kanë përcjellë disa ditë protestat, ndërsa së fundmi protestat janë zëvendësuar me fyerje e provokime.

Ndërkohë një ditë më parë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka theksuar se serbët e Kosovës në vazhdimësi janë nën trysni dhe kërcënime që të kryejnë veprime jashtë vullnetit të tyre.

Ndërkaq kujtojmë se edhe ndërkombëtarët kanë kërkuar reflektim dhe ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në veri të Kosovës.

Kosova është vënë nën presion diplomatik për të shtensionuar situatën. Bashkimi Evropian iu bashkua thirrjeve të Francës dhe Gjermanisë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri.

Janë tri kërkesa që BE-ja nxori për Kosovën: Zgjedhje të reja, të sigurohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në to si dhe të nisë puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Dështimi për t’i bërë këto, do të ketë pasoja serioze në marrëdhëniet tona”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.