Politikë Sociale

“Nuk më besuat”,  Rama: Momenti t’i shpërndajmë pensionistëve taksën e eksportuesve të energjisë

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije një lajm të mirë për të gjithë pensionistët, të cilët gjatë muajit prill do të përfitojnë nga taksa e jashtëzakonshme për eksportuesit e mëdhenj të energjisë.

Me anë të një postimi në “Facebook”, Rama tha se askush nuk e besoi në fillim një gjë të tillë, ndërsa më vonë kur u pa se kjo po bëhej realitet, kryeministri u akuzua se po shkelte kodin zgjedhor.

Kryeministri u shpreh se pensionistët janë më të prekurit nga pesha e luftës, ndaj edhe do të përfitojnë nga kjo taksë, megjithëse sipas tij nuk do të jetë masa e fundit lehtësuese për ta.

“Kur thosha do të vendosim taksë të jashtëzakonshme për eksportuesit e mëdhenj të energjisë dhe do t’ua shpërndajmë pensionistëve në prill, ata që ju e dini kush janë, bërtisnin ky është tatimi i jashtëzakonshëm komunist E bëri BE-ja, e tha edhe këtu Ursula Von Der Leyen që po, kjo është diçka krejt e drejtë në këtë kohë krize dhe e mbyllën përkohësisht gojën. Pastaj e hapën prapë gojën, duke u qarë hallin pensionistëve se i mashtroi Edi Rama dhe se s’do merrnin asgjë, po kur e dëgjuan që kjo do të ndodhte siç ishte premtuar, u hodhën përpjetë se po shkelej Kodi Zgjedhor! Krejt e pavërtetë, si zakonisht kur ata hapin gojën. Por ja ku prilli erdhi dhe taksa e jashtëzakonshme mbi fitimet e rëna nga qielli i luftës në arkën e eksportuesve të mëdhenj të energjisë, do të fillojë t‘u shpërndahet pensionistëve, si pjesa më e prekur nga pesha e luftës, po edhe më dinjitozja në qëndresën e saj përballë vështirësive të kohërave. Kjo është një tjetër masë lehtësuese për ta pas Pakos së Madhe, po nuk është e fundit, sepse ne nuk bëjmë dot sa duam për më të moshuarit, por nuk do të lemë kurrë pa bërë gjithçka mundemi.”