Aktualitet Bota

Nuk mjaftojnë dy doza, Pfizer kërkon leje për një të tretë!

Kompania Pfizer njoftoi se ka në plan të takohet të hënën me zyrtarë të lartë amerikanë të shëndetësisë për të diskutuar rreth kërkesës së saj për marrjen e një autorizimi federal për injektimin e një doze të tretë të vaksinës kundër COVID-19.

Ky zhvillim vjen ndërsa këshilltari kryesor i Presidentit Joe Biden për çështje të shëndetësisë, pranoi se është “plotësisht e logjikshme dhe mbase e mundshme”, që një dozë e tillë të jetë e nevojshme.

Kompania tha se të hënën ishte planifikuar të zhvillohej një takim me Administratën e Ushqimit dhe Barnave (FDA) e zyrtarë të tjerë. Disa ditë më parë Pfizer-i pohoi se dozat e tretë do të duhej të merrej brenda 12 muajsh.

Dr. Mikael Dolsten përfaqësues i kësaj kompanie i tha agjencisë së lajmeve “Associated Press” javën e kaluar se të dhënat e hershme nga një studim i kompanisë sugjerojnë se nivelet e antitrupave tek njerëzit shtohen nga pesë në 10-fish pas marrjes së një doze të tretë, krahasuar me dozën e dytë të marrë muaj më parë, provë që besohet se mbështet nevojën për një dozë përforcuese.

Të dielën, Dr. Anthony Fauci nuk e përjashtoi mundësinë, por tha se ishte shumë shpejt që qeveria të rekomandonte një dozë tjetër.

Takimi i planifikuar i së hënës mes Pfizer-it dhe zyrtarëve amerikanë të shëndetësisë u njoftua fillimisht nga gazeta “The Washington Post”!