Bota

Nuk ndalet Koreja e Veriut, lëshon raketë tjetër!

Sot Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike me rreze të shkurtër në ujërat lindorë të Gadishullit Korean. Njoftimin e japin burime zyrtare në Korenë e Jugut e në Japoni. Ushtria koreano-jugore është e mendimit se raketa fluturoi 800 kilometra, para se të godiste shënjestrën. Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes e Japonisë deklaron se raketa fluturoi në një lartësi prej 50 kilometrash.

Seuli zyrtar e dënoi testin e radhës nga vendi komunist, duke e cilësuar “shkelje të qartë” të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kur nuk kaloi shumë kohë nga hedhja e raketës, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare në Korenë e Jugut bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën ta përfshijnë bombarduesin strategjik B-1B në stërvitjet ushtarake që Seuli dhe Uashingtoni po zhvillojnë ditët e fundit.

Komanda amerikane për Indo-Paqësorin deklaroi se “hedhja e raketës së Koresë së Veriut, nuk përbën kërcënim të menjëhershëm për personelin amerikan dhe aleatët e Shteteve të Bashkuara”. Por, deklarata e Uashingtonit vë në dukje ndikimin destabilizues të armëve të paligjshme të Penianit.

Edhe tre ditë më parë, Koreja e Veriut hodhi atë që dyshohet të jetë raketë balistike ndërkontinentale, në pjesën mes Gadishullit Korean e Japonisë.

Kjo ndodhi vetëm disa orë para se presidenti i Koresë së Jugut, të shkonte në kryeqytetin japonez Tokio, për të marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë ku pritet të diskutohet mbi mënyrat për t’iu kundërpërgjigjur Koresë së Veriut për provat raketore.

Kujtojmë se prej fillimit të javës, Koreja e Veriut ka intensifikuar hedhjen e raketave, sidomos tani që Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë stërvitjet të përbashkëta ushtarake, që Pheniani i dënon pasi i konsideron “veprime armiqësore”.

Ushtria koreano-jugore tha se “Veriu ka lëshuar të paktën një lloj rakete balistike të panjohur, në brigjet lindore të tij”. Edhe qeveria japoneze konfirmoi hedhjen e raketës e Roja Bregdetare e Japonisë vlerësoi se ajo mund të ishte një armë me rreze të gjatë veprimi, si raketat balistike ndërkontinentale.

Vendi komunist që udhëhiqet nga lideri Kim Jong Un tha se “testimi i raketës ishte një paralajmërim kundër stërvitjeve ushtarake të SHBA-ve e Koresë së Jugut”. Manovrat mes Uashingtonit e Seulit janë të një shkalle të madhe e të këtyre përmasave nuk shiheshin që prej vitit 2017.