Aktualitet

Nuk ndryshojnë masat anti-COVID, pranohen rekomandimet për vaksinimin!

Masat anti-COVID në vendin tonë, nuk ndryshojnë. Ky është vendimi i marrë sot nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Kryetarja Mira Rakacolli:

Komiteti i Ekspertëve mendon se megjithë këtë përkeqësim të lehtë, niveli i masave shtrënguese mbetet njësoj. Ato i përgjigjen indikatorëve, tërheqim vëmendjen për zbatimin me rigorozitet!

Ndërkaq, Komiteti i Ekspertëve pranoi propozimet e Komitetit të Imunizimit, duke vendosur lejimin e aplikimit të dozës së tretë të vaksinës anti-koronavirus për personat mbi 60-vjeç. Kjo dozë do të injektohet jo më herët se 6 muaj pas të dytës e do të fillojë të aplikohet nga data 1 nëntor.

Komiteti komunikoi edhe vendimin për të lejuar vaksinimin e adoleshentëve mbi 16-vjeç, me konsensusin e prindërve dhe të atyre nga 12 në 15-vjeç që vuajnë nga sëmundje me ulje të imunitetit.

Ne sugjerojmë që do të vazhdojë të mbetet prioritet mbulimi i popullsisë me dozën e parë dhe të dytë të vaksinës. Po ashtu, vendosim që personat mbi 60-vjeç, të bëjnë dozën e tretë, jo më herët se 6 muaj nga bërja e dozës së dytë, duke filluar nga data 1 nëntor. Personat mbi 16-vjeç do të ftohen për t’u vaksinuar me konsensusin e prindërve. Do ftojmë për vaksinim edhe ata nga 12-15 vjeç që kanë sëmundje me ulje të imunitetit.

Drejtoresha e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, bëri një pasqyrë të situatës së vaksinimit në vend.

Deri më tani janë kryer 1.8 milion vaksinime, nga të cilat 900 mijë, me doza të para.

Bino theksoi se ka një mbulim jo të kënaqshëm të vaksinimit te të rinjtë, duke i bërë atyre thirrje, të mos hezitojnë të vaksinohen.

Masat anti-COVID që nuk ndryshojnë:

– Ora policore nga 23:00-06:00.

– Qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte:

1.    Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.

2.    Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.

3.    Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.

Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri.  Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave.

–  Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.

– Vazhdon të mbetet në fuqi urdhri për përdorimin e maskave në ambientet e mbyllura, në qendra tregtare, supermarket, dyqane, transport publik dhe në të gjitha ato vende ku nuk sigurohet distancimi fizik.

– Nuk lejohet grumbullimi i më shumë se 50 personave.

– Vetëm 30% e kapaciteteve për spektatorë në aktivitete sportive e kulturore.