Rajoni

Nuk plotësohej kuorumi, Kuvendi i Kosovës nuk voton për pagën minimale

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të kalojë në votim projektligjin që synon rritjen e pagës minimale. Për këtë pikë të rendit të ditës, nuk u arrit kuorum i mjaftueshëm.

Deputetët e opozitës – Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – nuk kanë arritur të çojnë përpara mocionet për shtyrje të projektligjit dhe si përgjigje kanë lëshuar sallën duke pamundësuar votimin.

Abelard Tahiri, Shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, ka thënë se këtë shtyrje po e kërkojnë duke pasur parasysh protestën e veteranëve.

“Ne nuk jemi për të tensionuar situatën, por për të zgjidhur probleme. Kërkojmë që të shtyhet, të mos votohet fare në këtë pikë”, ka thënë Tahiri.

Por, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje që është në pushtet, Armend Muja, tha se ky legjislacion synon që të adresojë problemet e asaj pjese të shoqërisë që paguhen më pak se veteranët.

“Paga minimiale është instrument i tregut të punës. Ky prioritet i dedikohet vajzave dhe djemve që punojnë dhe e kanë pagën mes 130 deri 170 euro. Ne po themi fillimisht na lejoni që të adresohen kushtet e jetesës të kësaj shtrese shoqërore që paguhen shumë më pak se sa veteranët”, tha Muja.

Projektligji i propozuar nga Qeveria e Kosovës për rritje të pagës minimale është kundërshtuar nga veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët më herët gjatë ditës kanë nisur protesta para Kuvendit të Kosovës.

Arsyeja për pakënaqësinë e tyre është mospërfshirja e pensioneve të tyre në rritjen e pagës minimale.

Projektligji i miratuar në Qeverinë e Kosovës, dhe që tani pret miratimin e Kuvendit, parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

Momentalisht, paga minimale në Kosovë është e ndarë në dy kategori: 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit mbi 35 vjeç.

Edhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u larguan nga oborri i Kuvendit të Kosovës, pasi dështoi për mungesë kuorumi votimi i paraparë për projektligjin për pagën minimale. Kundër votimit ishin deputetët opozitarë.

Protesta e mbështetur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, (OVL-UÇK) është mbajtur në shenjë pakënaqësie për mospërfshirjen e tyre në rritjen e pagës minimale.

Derisa ishin duke protestuar, disa nga protestuesit kishin hyrë në oborrin e Kuvendit.

Para dyerve të këtij institucioni kishte dalë Policia e Kosovës, e cila përdori sprej në drejtim të protestuesve.

Sipas Policisë, dy zyrtarë policorë janë lënduar në protesta dhe një qytetar ka kërkuar ndihmë mjekësore, për shkak të gazit lotsjellës në ato ambiente.

Megjithatë, Policia e Kosovës ka thënë nëpërmjet një deklarate se nuk ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve.

Sipas këtij institucioni, dyshohet që lloji i gazit është hedhur nga protestuesit.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se kërkesat e tyre janë injoruar nga institucionet e Kosovës.