Aktualitet

Numërimi për këshillat bashkiakë mbyllet në Dibër/PS 13 anëtarë, PSD 6, BF 5, PD 1!

Tre ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve vendore, sapo u mbyll numërimi i votave për Këshillin Bashkiak, Dibër ku kryebashkiak u zgjodh kandidati socialist, Rahim Spahiu. Edhe në përfundim të procesit, Partia Socialiste rikonfirmon epërsinë duke siguruar 13 anëtarë, Partia Social-Demokrate 6, Koalicioni “Bashkë Fitojmë” 5 dhe Partia Demokratike, 1.

Tashmë mbetet të përfundojë numërimi i votave edhe për këshillat bashkiakë të Tiranës, Kavajës, Kukësit, Krujës, Kurbinit e Malësisë së Madhe. Me përjashtim të Kavajës ku kryebashkiak u zgjodh kandidati i “Bashkë Fitojmë”, Fisnik Qosja, në pesë bashkitë e tjera fituan socialistët.

Rikujtojmë se në Tiranë, kryebashkiaku Erion Veliaj arriti një fitore shumë të thellë, me një diferencë prej mbi 58 mijë votash, ndaj rivalit kryesor Belind Këlliçi. Nëse krahasohen të dhënat e viti 2015, Veliaj rezulton të ketë ruajtur gati të njëjtin numër votash, ndonëse garoi për mandatin e tretë.

Në të kundërt, Këlliçi është poshtë votave që mori në atë kohë kandidati demokrat Halim Kosova, kur Lëvizja Socialiste për Integrim, tani Partia e Lirisë ishte në aleancë me socialistët, ndërsa në këto zgjedhje ishte në koalicion me demokratët e ish-kryeministrit Sali Berisha, si dhe me Partinë Demokristiane të Nard Ndokës e Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut e Vangjel Dules.

Ndërkaq, edhe Këlliçi iu bashkua linjës së mbajtur nga Berisha, duke folur dhe ai për një rezultat që siç pretendon nuk është shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve.

Ndërsa mbeten edhe gjashtë bashki ku duhet të numërohen votat për Këshillat Bashkiakë pas vendoreve të 14 Majit e procesi vijon, Partia Socialiste rezulton forcë e parë në pjesën dërrmuese të tyre. Madje, socialistët kanë marrë përqindjen më të lartë të votave dhe në pesë nga shtatë bashkitë e fituara nga kandidatët e “Bashkë Fitojmë”. Në Himarë e Has me kryebashkiakë nga koalicioni Berisha-Meta, PS-ja siguroi kontrollin e këshillave.

Komisioneri Ilirjan Celibashi tha se shifra zyrtare e pjesëmarrjes në zgjedhjet vendore rezulton 38.22%. Sa i përket kryebashkiakëve, kujtojmë se nga numërimi i votave, Partia Socialiste do të ketë të zgjedhurit e saj në 53 bashki, ndërsa “Bashkë Fitojmë” në vetëm 7. Bashkia Finiq do të drejtohet nga përfaqësuesi i partisë “MEGA”, i minoritetit grek.