Aktualitet

Numri i infektimeve në rritje, Skënder Brataj u bën thirrje qytetarëve!

Virusi Covid po përhapet me ritme shumë të shpejta, ndërkohë që, vihet re edhe një rritje e lartë e rasteve me variantin “Delta”. Jo vetëm të rriturit, por edhe fëmijët i ka prekur ky variant, ndërkohë që shefi i urdhencës bën thirrje të mos neglizhohen simptomat.

Disa nga simptomat e variantin “Delta” janë të vjella e diarre, por shpesh njerëzit i ngatërrojnë ato me viroza të tjera të stinës. Madje jo vetëm duke u ngatërruar këto simptoma, por edhe me një neglizhim të këtyre shenjave, vihet në rrezik jeta e të gjithëve. Një numër i konsiderueshëm rrezikon duke mos u diagnostikuar, një numër që arrin nga shtatë deri në dhjetë persona.

Çdo ditë e më shumë vihet re një rritje e konsiderueshme e rasteve të infektuara, dhe duket se shkaku kryesor është fakti që njerëzit nuk bëjnë testin e nevojshëm. Një rritje vihet re edhe në pacientët e spitalëve, ku vetëm një natë më parë janë shtruar 16 persona.

Skënder Brataj, bën thirrje të mos neglizhohet asnjë nga shenjat, ndërkohë që ai mendon se personat e pavaksinuar mbrojnë vetëm veten e tyre, por përsëri përbëjnë rrezik për ata që nuk janë vaksinuar ende. Ndërkohë, ekspertët e Komitetit Teknik të Ekspertëve po analizojnë shifrat e të infektuarve për të dalë në një përfundim me masat që do të merren.

Kujtojmë, se gjatë ditëve të fundit janë shtruar në repartin Covid të shërbimit infektiv në pediatrik fëmijë të moshave 0-1 vjeç, gjë që tregon se varianti “Delta” është mjaft i rrezikshëm edhe për moshat e reja. Gjithashtu, janë bërë thirrje të tregohet një kujdes i veçantë tashmë që shkolla do të rinisë ku rreziku i infektimit do të jetë edhe më i madh.