Aktualitet

Nxënësit e kolegjit ‘Mehmet Akif’ protestojnë para ministrisë së Arsimit: Anuloni vendimin e mbylljes

Nxënësit e ‘Mehmet Akif’ protestojnë para Ministrisë së Arsimit kunder vendimit te mbylljes.

Nxënësit e kolegjit privat ‘Mehemt Akif’, i cili u mbyll pak ditë më parë me vendim qeveri për shkak se nuk plotësonte kushtet ligjore, po protestojnë para ambienteve të Ministrisë së Arsimit. Nxënësit kërkojnë shfuqizimin e vendimit për mbylljen e shkollës.

‘Na shkatërruat çdo ëndërr që kemi krijuar në ambientet e shkollës ‘Mehmet Akif’. Jemi kundër mbylljes së arsimit cilësor. Sot kuptova se çdo të thotë që të të prishin ëndrrat. Anulo mbylljen e ‘Mehmet Akif’.’- u shprehën nxënësit.

Një prej nxënëseve i bëri thirrje ministres që të tërhiqet dhe të japë dorëheqje.

“Nëse nuk jeni në gjendje të mbani këtë post, hiqni dorë. Sot unë jam një maturante dhe po rrezikoni shkollimin tim. Mos mendoni se do të dorëzohemi. Ku jeni sot zonja Evis Kushi? Dil para nesh. Boll me këto përralla që thoni në Tv. Ju bëjmë thirrje dhe jepni dorëheqje. Dilni poshtë dhe na jepni përgjigje, kaq kisha”, tha një prej nxënësve.

Më pas protestuesit nisën marshimin drejt Kryeministrisë, ku do të stacionojnë protestën e tyre.

Ndërkohë, një ditë pas vendimit të qeverisë, reagoi dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi e cila pohoi se arsyeja që ishte mbyllur shkolla, ishte për faktin se kolegji ishte transferuar në një godinë për të cilën nuk ishte marrë leje dhe se nuk plotësonte standardet.

Në debate lidhur me këtë vendim u përfshi edhe politika, ku opozita s’i kurseu akuzat për qeverinë, ndërkohë që Berisha iu bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës që po mban kolegji.