Sport

Objektivat e Kombëtares, flasin Seferi e Çekiçi!

Taulant Seferi dhe Endri Çekiçi, dy futbollistët e Kombëtares Shqiptare të Futbollit dolën sot në një konferencë për media, në kuadër të sfidave zyrtare të Ligës së Kombeve, ndaj Islandës dhe Izraelit, e më pas miqësores me Estoninë. Dy kuqezinjtë folën për objektivat e skuadrës për këto ndeshje të rëndësishme, duke theksuar se “Shqipëria do të tentojë vendin e parë”. Taulant Seferi rikthehet në Kombëtare e sulmuesi kuqezi shprehet se “është i fokusuar totalisht te Kombëtarja”.

Në ndeshjet e marsit, Kombëtarja ka bërë shumë ndeshje të mira dhe siç e dini ju, në Ligën e Kombeve jemi ngjitur në një Ligë më lart, nga B në C dhe objektivi ynë në këtë fazë është të dalim në vendin e parë dhe unë kam parë një grup shumë të mirë dhe jam besimplotë se do të bëjmë një hap të mirë.

Jam i fokusuar te Kombëtarja dhe jam shumë i lumtur që trajneri më ka ftuar dhe jam duke u përgatitur për ndeshjet e radhës. Ne jemi profesionistë dhe nuk guxojmë që të na bjerë ritmi. Duhet të jemi maksimalisht të fokusuar dhe të përgatitur, kështu që do të përgatisim dhe do të jemi të freskët dhe 100% për ndeshjet e radhës.

Për sfidën me Islandën, u shpreh:

Eshtë një kundërshtar që duhet vlerësuar, por ne do ikim aty për 3 pikët dhe për të marrë maksimumin. Duhet të jemi të përgatitur dhe të shkojmë për fitore.

Ndërkohë, Endri Çekiçi, mesfushori shqiptar që luan në kampionatin turk ka bërë një sezon mjaft të mirë me ekipin e Koniasporit, duke shënuar edhe gola. Çekiçi ndalet te sezoni me skuadrën e tij në Turqi, ndërsa flet edhe për objektivat e Shqipërisë në këtë kompeticion.
Për sezonin me Koniasporin, tha:

Që në fillim të sezonit e pamë që do kishim një sezon të suksesshëm dhe vazhduam ashtu. Vendi i tretë në kampionat, edhe pse po shpresonim për vendin e dytë, por në fund ishte një sezon shumë i suksesshëm.

Sa i përket Kombëtares, gjithmonë kam qenë gati. Eshtë trajneri ai që e vendos se kush do të luajë. Në momentin që jemi në fushë, është e rëndësishme që kushdo që të jetë, të japë 100%.

I pyetur nëse përjashtimi i Rusisë e ka bërë më të lehtë grupin, Çekiçi u shpreh:

Përjashtimi i Rusisë na e ka bërë disi më të lehtë grupin. Kemi dy kundërshtarë që jemi pak a shumë në të njëjtin nivel. Ne duhet të hyjmë për vendin e parë. Kemi parë që në ndeshjet e fundit e kemi rritur shumë nivelin. Kemi shumë lojtarë të rinj që po luajnë në klube të mira dhe kemi shumë besim që do ia arrijmë qëllimit. Nëse dalim të parët në grup, kjo na jep edhe një mundësi më shumë për t’u kualifikuar në Europian, që është objektivi ynë kryesor. Kështu që vendi i parë duhet të jetë qëllimi ynë!