Bota

OBSH: “Delta variant dominues i koronavirusit në nivel global!”

“Varianti Delta i koronavirusit ia ka kaluar të gjitha varianteve të tjera të COVID-it”. Në këtë përfundim del Organizata Botërore e Shëndetësisë. Maria Van Kerkhove, drejtuese teknike për COVID-in në OBSH:

Më pak se 1% ka mbetur aktualisht në qarkullim nga variantet Alpha, Beta dhe Gamma. Eshtë vërtet Delta që dominon në të gjithë botën. Ky variant është aq i transmetueshëm sa që ka zëvendësuar variantet e tjera që qarkullojnë në të gjithë botën.

Ndërkohë, organizata “Amnesty International” akuzoi kompanitë kryesore farmaceutike në botë për krijimin e një krize të pashembullt në raport me të drejtat e njeriut duke mos siguruar vaksina të mjaftueshme kundër COVID-it.

Kompani si AstraZeneca, Johnson&Johnson, Moderna, Novavax dhe Pfizer&BioNTech nuk kanë arritur të përmbushin përgjegjësitë ndaj të drejtave të njeriut, duke refuzuar të marrin pjesë në nismat globale të shpërndarjes së vaksinave.

Sipas organizatës vetëm një pjesë e vogël ose 0.3% e 5.76 miliardë dozave të shpërndara në botë kanë shkuar në vendet me të ardhura të ulëta, ndërsa 79% te ato me ardhura të larta e të mesme.

Pabarazia po i çon sistemet e dobësuara shëndetësore edhe më në ekstrem, si dhe po shkakton me mijëra vdekje çdo javë, të cilat mund të ishin parandaluar, veçanërisht në disa pjesë të Amerikës Latine, Afrikës e Azisë.

Organizata thotë se vetëm kompanitë Pfizer&BioNTech dhe Moderna të marra së bashku do të fitojnë deri në fund të vitit 2022, 130 miliardë dollarë. “Amnesty” iu bëri thirrje qeverive e kompanive farmaceutike t’u japin menjëherë 2 miliard doza vaksinash kundër COVID-19/ës, vendeve me të ardhura të ulëta e të mesme për të përmbushur qëllimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për të vaksinuar 40% të popullsisë në këto rajone deri në fund të vitit.

Raporti u publikua para një samiti virtual mbi Çështje të COVID-it që drejtohet nga presidenti amerikan, Joe Biden. Takimi i nivelit të lartë zhvillohet paralelisht me Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.