Bota

OBSH: “Delta, variant dominues në nivel global në pak muaj!”

Varianti Delta i koronavirusit pritet të bëhet dominues gjatë muajve të ardhshëm. Këtë e deklaroi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Delta që njihet si variant më ngjitës dhe u zbulua për herë të parë në Indi është regjistruar tashmë në 124 shtete, 13 më shumë se javën e kaluar.

Pritet që Delta t’i tejkalojë me shpejtësi variantet e tjera e të bëhet dominuese gjatë muajve të ardhshëm. Nga tre variantet e tjera të klasifikuara si shqetësuese nga OBSH-ja, Alfa e zbuluar për herë të parë në Britani u raportua në 180 vende; Beta e identifikuar në Afrikën e Jugut u evidentua në 130 dhe Gama e shfaqur në Brazil, në 78 territore.

3.4 milionë raste të reja me koronavirus janë regjistruar javën e kaluar në botë, 12% më shumë krahasuar me të mëparshmen.

Me këtë ritëm pritet që numri i rasteve të raportuara globalisht të kalojë 200 milion në tre javët e ardhshme.

Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, koronavirusi ka infektuar deri tani mbi 191.5 milionë persona, më shumë se 4.1 milionë kanë ndërruar jetë. Në të gjithë botën janë dhënë mbi 3.9 miliardë vaksina kundër COVID-it.