Bota

OBSH flet për “stuhinë Omicron”, Europa shtrëngon kufizimet anti-COVID!

Një udhëzim që këshillon qytetarët të respektojnë masat kundër varianteve të reja të COVID-it u publikua sot nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri. Për të kaluar festa sa më të sigurta këtë fundvit, ky dikaster rekomandon vaksinim kundër COVID-it, mbajtje të maskës, ruajtje të distancës, shmangien e grumbullimeve dhe ajrosjen e mjedisit.

“Një stuhi e re po vjen në Europë me variantin Omicron të COVID-19, i cili brenda pak javësh do të dominojë më shumë vende në rajon, duke i shtyrë drejt pikiatës sistemet shëndetësore tashmë nën presion”. Këtë e deklaroi drejtori i OBSH-së për Europën, Hans Kluge, teksa i fton të gjithë të marrin dozën e tretë të vaksinës, si mbrojtja më e rëndësishme ndaj Omicron-it.

Ftesa e kreut për Europën, Kluge, ndryshon nga linja zyrtare e OBSH-së, drejtuesit e së cilës i kanë paralajmëruar vazhdimisht qeveritë se doza e tretë e vaksinës është një luks dhe do të ishte më mirë që vaksinat shtesë të shiten në vendet në vështirësi.

Omicron shkakton frikë dhe vendet nxitojnë të marrin masa. Nga 28 dhjetori, në Gjermani hyjnë në fuqi masa të reja për të kufizuar kontaktet. Në veçanti, eventet e mëdha sportive si ndeshjet e futbollit. Kancelari Scholz tha se “nuk është momenti për festa e grumbullime” e nuk mund t’i mbyllin sytë para valës së re të infektimeve nga koronavirusi.

Duhet përshpejtuar detyrimi për t’u vaksinuar!

Në Britani, kryeministri Johnson konfirmoi se nuk ka mbyllje para Krishtlindjeve por nuk përjashton forcim të kufizimeve pas 25 dhjetorit.
Gjithashtu Portugalia është në mesin e shteteve që kanë bërë të ditura kufizime pas Festës së Krishtlindjes, në datën 26.

Në Finlandë, baret dhe restorantet do të mbyllen në orën 22:00 nga 24 dhjetori. Në Suedi, baret, kafenetë e restorantet do të mund t’iu shërbejnë vetëm konsumatorëve të ulur dhe njerëzve u është kërkuar të punojnë nga shtëpia. Nga shpërthimi i pandemisë, Europa ka regjistruar më shumë se 89 milion raste infektimi. 1.5 milion prej tyre, fatkeqësisht ndërruan jetë.

Ndërkohë, AstraZeneca ka njoftuar se po punon me Universitetin e Oksfordit për të prodhuar një vaksinë specifike për variantin Omicron. Tashmë janë në fazat paraprake e do të ndjekin të dhënat që dalin.