Bota

OBSH i kërkon Kinës më shumë informacione për valën e fundit të koronavirusit!

Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH i bën thirrje Kinës që të bëjë publike më shumë informacione për valën më të fundit të koronavirusit. Kjo kërkesë vjen pasi qeveria kineze raportoi se rreth 60 mijë persona humbën jetën brenda një muaji me këtë virus. Një njoftim i tillë i autoriteteve kineze shënon herën e parë që Partia Komuniste bën të ditura shifrat e viktimave që nga koha e heqjes së disa kufizimeve për pandeminë, në dhjetor të vitit të kaluar.

Por, duhet theksuar se shifra rreth 6 mijë u referohet vetëm vdekjeve të regjistruara në qendrat shëndetësore, ndërsa nuk ka dyshime se situata reale është shumë herë më e rëndë. Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, vuri në dukje se “të tilla informacione të detajuara duhen publikuar edhe në të ardhmen, pasi krijojnë ide më të mirë për situatën epidemiologjike”.

Në disa raste, zyrtarët shëndetësorë në Kinë kanë thënë se “nuk është e domosdoshme që të publikohen shifrat e sakta”. Më parë, Pekini zyrtar pati ndryshuar metodologjinë e raportimit të vdekjeve me koronavirus, duke thënë se do të regjistrojë vetëm ata që ndërrojnë nga sëmundjet e frymëmarrjes. Por, ky vendim u kritikua ashpër nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që nënvizoi se përcaktimi i ri “është shumë i ngushtë”.

Po ashtu, autoritetet shëndetësore kineze deklaruan dje se mosha mesatare e viktimave ka qenë 80.3 vjet dhe se 90 për qind e viktimave janë të moshës mbi 65-vjeç. Sipas tyre, shumica kishin të tjera sëmundje shoqëruese. Aktualisht, miliona persona mbi moshën 60-vjeç nuk janë të vaksinuar në Kinë. Për koronavirusin, për herë të parë u raportua në dhjetor të vitit 2019 në Uhan të Kinës. Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH e shpalli pandemi, më 11 mars të vitit 2020.

Më shumë se 6.7 milion njerëz kanë humbur jetën që prej shpërthimit të pandemisë në të gjithë botën. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave dhe pas tyre vijnë India e Brazili.