Bota

OBSH: “Pa vaksina për vendet e varfëra, pandemi koronavirus edhe vitin e ardhshëm!”

“Pandemia koronavirus do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm, nëse vendet më të varfëra nuk furnizohen me vaksinat anti-COVID, për të cilat kanë nevojë”. Kjo theksohet nga Bruce Aylward, një prej studiuesve kryesorë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili përsërit apelin për të dhuruar doza.

Ai sjell në vëmendje faktin që në Afrikë është vaksinuar më pak se 5% e popullatës kundrejt 40 përqindëshit në pjesën më të madhe të kontinenteve të tjera.

I cituar nga BBC, doktor Aylward deklaroi:

Jemi në rrugën e duhur, por duhet të përshpejtojmë pasi në të kundërtën, kjo pandemi do të vazhdojë edhe për një vit më shumë se parashikimet.

Më herët, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se rastet me COVID-19 në të gjithë Europën u rritën me 7% në javën e fundit, krahasuar me të mëparshmen. Në një raport theksohet se javën e fundit, në botë rezultuan të prekur 2.7 milion njerëz dhe 46 mijë humbën jetën.

Gjithashtu, në rajonet e Afrikës e në Paqësorin Perëndimor u konstatua rënia më e madhe, përkatësisht 18 e 16%. Në të kundërtën, në Europë, javën e fundit u shënuan 1.3 milion raste të reja dhe se në më shumë se gjysmën e vendeve europiane u shtuan rastet me COVID-19. Dokumenti vë në dukje se rastet me COVID-19 në Europë kanë qenë në rritje për tri javë.