Bota

OBSH: “Pandemia koronavirus, jo pranë fundit!”

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, “pandemia koronavirus nuk është pranë fundit”. Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, bën thirrje për kujdes ndaj pretendimeve se varianti Omicron përbën më pak rrezik, vetëm se duket që shkakton simptoma më të lehta. “Mos u gaboni: Omicron po shkakton shtrime në spital dhe vdekje, edhe rastet më të lehta ngarkojnë sistemin shëndetësor”, – theksoi Ghebreyesus.

Aktualisht, Omicron dominon në shumë vende të botës, nga Brazili në Francë. Të dhënat sugjerojnë se vaksinat ekzistuese janë më pak efektive në parandalimin e infektimit me të, krahasuar me variantet tjera. Por, dozat ofrojnë mbrojtje ndaj formës së rëndë të sëmundjes dhe vdekjes. Ndërkaq, ka shpresa se kombinimi i njerëzve të vaksinuar me ata që kanë antitrupa nga infektimi me koronavirus, mund të çojë në imunitet të tufës.

Kjo gjë ka shtuar diskutimet nëse koronavirusi do të kthehet në endemi. Në një panel të organizuar nga Forumi Ekonomik Botëror, Michael Ryan, drejtor për Emergjenca në OBSH tha se “ky virus mund të mos përfundojë kurrë” e “mund të bëhet pjesë e ekosistemit”.

Ndërkaq, Gjermania ka tejkaluar 100 mijë raste koronavirusi në ditë, për herë të parë që nga fillimi i pandemisë. Sipas Institutit “Robert Koch” (RKI), 112 323 infektime u regjistruan në 24 orët e fundit në vend. Të premten, shifrat ditore kaluan shifrën 90 000 për herë të parë, nga 80 430 raste të reja që ishin regjistruar një javë më parë.
Incidenca shtatëditore e infeksioneve për 100 000 persona ishte 584,4 të mërkurën, krahasuar me 553,2 një ditë më parë dhe 407,5 një javë më parë.

Në të gjithë Gjermaninë, 239 vdekje u regjistruan dje, nga 384 viktima një javë më parë. RKI ka numëruar 8 186 850 infeksione koronavirus në Gjermani që nga fillimi i pandemisë. Shifra reale është ndoshta shumë më e lartë pasi shumë infeksione nuk zbulohen.