Bota

OBSH: Paqja, vaksina më e mirë për fëmijët në Gaza!

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus deklaroi se “paqja” është vaksina më e mirë për fëmijët në Gaza.

Fëmijët në Gaza po marrin vaksinat shumë të nevojshme kundër polimielitit. Në fund të fundit, vaksina më e mirë për këta fëmijë është paqja.

Fushata e vaksinimit ndaj poliomielitit, që mbulon mbi 640 mijë fëmijë nën 10-vjeç në Rripin e Gazës, është nisur në bashkëpunim me OBSH-në, Ministrinë e Shëndetësisë së Palestinës, Fondin e OKB-së për Fëmijët dhe Agjencinë e OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA).

OBSH-ja njoftoi se fushata e vaksinimit në Deir al-Balah, që ndodhet në Gazën qendrore do të vazhdojë deri më 4 shtator. Në qytetin Khan Younis në Gazën jugore, ku vazhdojnë sulmet izraelite, fushata e vaksinimit të poliomielitit për fëmijët nën 10-vjeç filloi mbrëmë.

Richard Peeperkorn, përfaqësuesi i OBSH-së në territoret e pushtuara palestineze, deklaroi se fushata përbëhet nga “dy raunde”. Më 16 gusht, Ministria e Shëndetësisë e Palestinës njoftoi zbulimin e rastit të parë të poliomielitit në Rripin e Gazës.

Duke mbetur në Lindjen e Mesme, dhjetëra protestues bllokuan rrugën “Ibn Gvirol” në Tel Aviv, që përkon me grevën e përgjithshme në Izrael. Nga qeveria kërkojnë të arrijë një marrëveshje për lirimin e pengjeve të mbajtur nga Hamasi në Gaza, mes zemërimit të gjerë publik mbi trajtimin e luftës nga qeveria.

Protestuesit gjithashtu u mblodhën në kryqëzimin “Shilat” dhe bllokuan një rrugë në qytetin verior Rosh Pina. “Histadrut”, një nga sindikatat më të fuqishme në vend njoftoi grevë njëditore, e cila filloi mëngjesin e sotëm në orën 06:00.

Zyrat qeveritare dhe bashkiake do të qëndrojnë të mbyllura. Po ashtu shkollat ​​e shumë biznese private. Aeroporti ndërkombëtar “Ben Gurion” gjithashtu do të mbetet i mbyllur për një periudhë të pacaktuar.

Të paktën 30 arrestime në Tel Aviv, pesë në Jerusalem dhe disa të plagosur janë raportuar orët e fundit në një bilanc nga demonstrata e madhe e një dite më parë në Izrael, e thirrur nga familjet e të rrëmbyerve nga Hamasi.