Bota

OBSH: Remdesiviri është pak ose aspak efektiv në trajtimin e Covid-19

“Ilaçet remdesivir, hidroksiklorinë, lopinavir/ritonavir dhe produktet e interferonit kanë pak ose aspak rezultate në trajtimin e pacientëve me koronavirus”. Kjo theksohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, pas një studimi në 405 spitale në mbi 30 vende.

Studiuesit u bazuan te efektet e terapisë në vdekshmërinë e përgjithshme, fillimin e trajtimit me ventilatorë e kohëzgjatjen e qëndrimit në spital. Studimi për efektivitetin e këtyre barnave u krye në 405 spitale në 30 vende dhe përfshiu 11.266 pacientë. Por kompania farmaceutike amerikane “Gilead Sciences” që ka zhvilluar Remdesivirin, i kundërshton përfundimet, me pretendimin se “të dhënat nga mbi 11 mijë pacientë, nuk u analizuan në detaje”. Sipas kësaj kompanie rezultatet për efektivitetin ndaj sëmundjes COVID-19 duhet të kalojnë kontrolle shtesë të ekspertëve.

Të dhënat nga një studim në SHBA mbi ilaçin remdesivir nga kompania Gilead, në fillim të këtij muaji treguan se trajtimi me këtë ilaç uli me pesë ditë kohën e  rikuperimit të pacientëve të infektuar me COVID-19. Përdorimi i Remdesivirit u miratua nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së më 1 maj dhe përdorimin e këtij ilaçi e kanë miratuar edhe një sërë vendesh tjera.