Aktualitet

OBSH: “Vaksina Sinovac, efikase te moshat nën 60-vjeç!”

“Vaksina kineze kundër koronavirusit Sinovac” që përdoret edhe në Shqipëri “është efikase te të rriturit nën 60-vjeç por disa të dhëna për rrezikun e efekteve serioze anësore mungojnë”. Në këtë përfundim dalin ekspertë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ekspertët e pavarur të Grupit Strategjik Këshillimor të OBSH-së e bazuan vlerësimin në rezultatet e fazës së tretë të testimit të vaksinës në Kinë, Brazil, Indonezi e Kili. Mbi 260 milionë doza të Sinovac-ut janë autorizuar për përdorim në 32 vende, mes tyre Shqipëria.

Jemi shumë të bindur se dy doza të vaksinës Sinovac e ndalojnë COVID-19 te personat 18-59/vjeç.

Por, studiuesit e OBSH-së vënë në dukje se mungojnë të dhëna për sigurinë e vaksinës te gratë shtatzëna, te më të moshuarit dhe te ata me sëmundje ekzistuese.

Nuk ka të dhëna as për efektet e rralla anësore të zbuluara përmes monitorimit të sigurisë, pas autorizimit të vaksinës.

Deri tani, OBSH-ja ka miratuar për përdorim emergjent vaksinat e Moderna-s, Pfizer/BioNtech-ut, Johnson&Johnson-it dhe AstraZeneca-s.

Dy ditë më parë, Agjencia Europiane e Medikamenteve, EMA nisi procedurën e rishikimit të kinezes Sinovac.