Rajoni

OEAK thirrje qeverisë Kurti t’i bashkohet Ballkanit të Hapur!

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, OEAK i bën thirrje Qeverisë Kurti të konsiderojë në mënyrë serioze pjesëmarrjen në nismën rajonale “Ballkani i Hapur”.

Bashkëpunimi ekonomik nuk ka alternativë në këto kohëra të pasigurta për ekonomitë rajonale e globale. Vetëm përmes integrimit ekonomik, vendet do të mund të tejkalojnë vështirësitë e ardhshme, siç janë sfidat në zinxhirët e furnizimit, siguria e ushqimit, mungesat e energjisë e të fuqisë punëtore.

Çdo nismë e bashkëpunimit rajonal, duhet të mundësojë përfaqësim të barabartë të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe është përgjegjësi e tre shteteve nismëtare të Ballkanit të Hapur, që të adresojnë shqetësimet e Qeverisë së Kosovës e të të tjera vendeve skeptike.

Asnjë iniciativë për treg të përbashkët rajonal, nuk mund të ketë sukses në rrethana kur jo të gjithë shtetet e rajonit trajtohen në mënyrë të barabartë e me respekt.

Në nismën “Ballkani i Hapur” bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut. E iniciuar nga drejtuesit e këtyre shteteve, në tetor të vitit 2019, fillimisht u quajt “Mini-Shengen”. Ndërkohë, përfshin lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve e njerëzve ndërmjet të tre vendeve.

Por, pavarësisht thirrjeve, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja vazhdojnë të kundërshtojnë të bëhen pjesë e nismës. Në Kosovë, zyrtarët në pushtet e përfaqësuesit e opozitës, argumentojnë se një nismë e tillë është “pa vizion” dhe “e rrezikshme”. Tirana, Beogradi e Shkupi kanë arritur një sërë marrëveshjesh, që thuhet se kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

Ndër të tjera, marrëveshjet përfshijnë lëvizjen e qytetarëve të tyre me letërnjoftime, bashkëpunim në lehtësimin e importit dhe eksportit të mallrave, luftimin e evazionit fiskal, njohjen e diplomave universitare, bashkëpunimin kulturor e turistik, si dhe një memorandum mirëkuptimi e bashkëpunimi për akses të lirë në tregun e punës. Planifikohet që gradualisht të krijojnë edhe një treg të përbashkët për 12 milion banorë dhe nga 1 janari 2023, të hiqen kontrollet kufitare midis Serbisë, Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë.