Bota

Ofensiva ruse në lindje të Ukrainës, Moska jep të dhëna!

Moska zyrtare pretendon se janë rreth dy mijë trupa ukrainase që mbahen të rrethuara në rajonin e Luganskut. Njoftimin e dha sot Ministria e Mbrojtjes e Rusisë. Në një konferencë shtypi në Moskë, zëdhënësi deklaroi:

Trupat, duke përfshirë ushtarakë, mercenarë e luftëtarë të grupit të ekstremit të djathtë, janë bllokuar mes vendbanimeve Zolote e Hirske. Një ditë më parë, 41 ushtarë u dorëzuan pasi komunikimi me komandën e lartë u ndërpre, së bashku me furnizimet e tjera. Gjithashtu, trupat ukrainase dorëzuan armët në pjesë të tjera të vendit ndërsa shefat ushtarakë ukrainas, po rekrutonin qytetarë të patrajnuar.

Duke dhënë detaje të objektivave të goditur, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë deklaroi se “avionët rusë shkatërruan pajisje ushtarake në 367 pika, pesë depo municionesh e disa njësi artilerie dhe mortajash”. Më tej shtoi:

Edhe një sistem i mbrojtjes ajrore S-300 është goditur pranë Odesas me raketa. Në total, që nga fillimi i operacionit ushtarak, më 24 shkurt, janë shkatërruar 213 avionë, 132 helikopterë, 1 mijë e 334 mjete ajrore pa pilot, 350 sisteme të mbrojtjes ajrore, 3 mijë e 769 tanke dhe mjete të tjera luftarake të blinduara, 659 mjete luftarake raketahedhëse me shumë tyta, 3 mijë e 2 artileri fushore e mortaja, si dhe janë shkatërruar 3 mijë e 835 makina speciale ushtarake.

Presidenti Zelensky u shpreh se “Rusia i grabiti paqen”, por “nuk do të arrijë t’i shkatërrojë”.

Ukrainasit duan të jetojnë jetën, siç janë mësuar e të shijojnë lirinë. Por, nuk mund ta bëjnë pasi ka ndodhur kjo gjë e tmerrshme: Rusia na e grabiti paqen.

Zelensky kishte një tjetër thirrje drejtuar vendeve perëndimore për t’i siguruar Kievit ndihmë të mëtejshme ekonomike e ushtarake. Ndërkohë, sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken vlerësoi se “Rusia ka humbur”.

Objektivi i Putinit ishte të eliminonte Ukrainën, një vend i pavarur dhe sovran. Dështoi, sepse një Ukrainë e pavarur e sovrane do të mbijetojë shumë më tepër se presidenti rus.