Celebrities

“Oh ato ditë të bukura” një shfaqje që nuk duhet humbur!

Teatri Metropol sjell në skenë premierën absolute “Oh ato ditë të bukura” të Samuel Beckett me regji nga Arben Kumbaro. Vepra e cila është cilësuar si një nga më të njohurat e teatrit modern botëror, do të interpretohet nga “Mjeshtre e madhe” e skenës, Yllka Mujo, shoqëruar dhe nga interpretimi i aktorit të mirënjohur Sokol Angjeli.

Vepra ka vlera të jashtëzakoshme aktuale. “Oh ato ditë të bukura” është përzgjedhur për t’u vënë në skenë përgjatë 13 netëve duke nisur nga data 8 tetori. Përkatësisht në datat 8, 9, 10, 15, 16, 17, 22, 23, 24, 29, 30, 31 tetor.

Regjisori Kumbaro gjatë një deklarate për mediat është shprehur se:

Qëllimi i vënies së kësaj shfaqje është gjallërimi i jetës kulturore në Tiranë në këtë kohë fatkeqe të pandemisë. Vepra është në kufijtë e një monodrame dhe do interpretohet nga një prej aktoreve më të shquara të traditës tonë teatrale, Yllka Mujo. Duke qenë se jetojmë brenda mundësive krejtësisht të limituara fizike, kërkesat që ka ky projekt e bëjnë krejtësisht të mundur realizimin e tij. Vepra ka vlera të jashtëzakoshme aktuale dhe është një ulërimë dhe reflektim mbi kuptimin e jetës njerëzore. Një përpjekje në rikthim të shpresës në shoqërinë tonë.

Vepra është kryesisht një monodramë ku personazhet kryesorë Vini dhe Vili shfaqen të zhytur në një grumbull rëre në shkretëtirë. Vini një grua rreth të gjashtëdhjetave ka ngecur aty prej kohësh dhe vetëm merret me sendet të cilat ndodhen në çantën e saj teksa diskuton dhe rikujton kohët dhe ditët e bukura që ka kaluar. Ndërkohë që Vili, i shoqi i saj flet shumë rrallë, vetëm zvarriten dhe qëndron i shtrirë në një cep ku shpesh herë lexon gazetën po mban edhe maskë.

Aktorja Yllka Mujo interpreton rolin e saj teksa qëndron në mesin e skenës dhe ka ngecur tek ai grumbull shkëmbor ku mesazhi që përcillet është edhe ngecja në këtë realitet ku nuk mundesh të shpëtosh dot. Kujtojmë gjithashtu se Bashkia Tiranë është një nga promotoret dhe mbështetëset më të mëdha të eventeve të tilla.