Bota

OK i SHBA-ve për vaksinën anti-COVID të “Johnson&Johnson”

Amerika miraton vaksinën monodozë kundër COVID-it të “Johnson&Johnson”-it. Administrata e Ushqimit dhe Barnave autorizoi përdorimin e saj të menjëhershëm e tashmë shkon në tre numri i vaksinave që morën OK-in e autoriteteve në Shtetet e Bashkuara pas atyre të “Pfizer-BioNTech”-ut e “Moderna”-s. Nga testimet rezultoi se një dozë e vetme e vaksinës së “Johnson&Johnson”-it ofron deri në 85% mbrojtje në format më të rënda të koronavirusit. Përveçse është monodozë mund të ruhet në temperaturë frigoriferi, nga 2 deri në 8 gradë.

“Johnson&Johnson” angazhohet që deri në qershor të prodhojë 100 milionë doza të vaksinës së saj anti-COVID për Amerikën. 20 milionë prej tyre pritet të jenë të disponueshme brenda muajit mars. Ato do t’iu shtohen 600 milionë dozave për të cilat u zotuan “Pfizer-BioNTech” dhe “Moderna” deri në fund të korrikut çka do të mjaftonte për të vaksinuar kundër koronavirusit çdo amerikan në moshë madhore. Dy javë më parë, “Johnson&Johnson” kërkoi autorizimin e Agjencisë Europiane të Barnave që vaksina të prodhohet e përdoret në vendet e Europës.

Presidenti Joe Biden përshëndeti me entuziasëm autorizimin që FDA-ja amerikane i dha vaksinës monodozë anti-COVID të “Johnson&Johnson”-it. Por, shefi i Shtëpisë së Bardhë iu bën thirrje qytetarëve “të mos ulin vigjilencën” duke lënë të kuptohet se masat mbrojtëse duhet të vazhdojnë. Amerika është vendi më i goditur në botë nga koronavirusi e deri tani janë kryer rreth 73 milionë doza vaksine.