Aktualitet

“OK” në parim projektbuxhetit e Paketës Fiskale 2023 te Ekonomia/Kontestimet vazhdojnë!

Me votat e maxhorancës, Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financave, sot miratoi në parim projektbuxhetin për vitin 2023. Të ardhurat parashikohen të arrijnë në 625.7 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet 687.2 miliardë lekë. Planifikohet që në vitin 2023 rritja ekonomike të jetë 2.6%, nga 3.7% këtë vit. Qeveria ka plan ambicioz për të ardhurat e ndikim pritet të japin edhe taksat e reja, ku ligji më i rëndësishëm i paketës fiskale lidhet me taksimin e profesionistëve të lirë që ofrojnë shërbime.

Por, kujtojmë se Komisioni i Ekonomisë e nisi me debate shqyrtimin e projektbuxhetit 2023, pasi deputetët kërkuan të njihen edhe me ndryshimet e paketës fiskale e cila mungonte në tryezë. Ditë më parë, kur ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha se “ekonomia do të rritet me 2.6% vitin që vjen, deputetët kërkuan të dinin se ku do të mbështetet kjo rritje. Debatet vazhduan në mbledhjet e Komisionit të Ekonomisë, ndërsa sipas opozitës, “Buxheti nuk mbështet shtresat në nevojë”.

Përmes tij, deputetë kërkuan rritje të pagave e pensioneve, ndërprerje të pagesave të kontratave koncesionare, ndërsa mes kërkesave ishte edhe vendosja e minimumit jetik. Bujar Leskaj e Dashamir Shehi:

Nuk është në qendër njeriu, duhet që paratë që vijnë nga rritja e çmimeve, të shpërndahen për njerëzit. E kemi bërë ne gabim, edhe ju po e bëni! Duhet të vendosni minimumin jetik, që pastaj do të sjellë efekt zinxhir.

Duhen rritur pagat dhe pensionet.

Kritikat nuk munguan as nga deputeti socialist, Erion Braçe. Sipas tij, megjithëse ruhen parametrat buxhetorë, mbështetja që ofrohet është e pamjaftueshme. Braçe kërkoi më shumë fonde për sektorët kyçë të ekonomisë.

Ju thashë edhe vitin e shkuar që keni pak para’ (kompensimi  naftës), edhe këtë vit keni pak para ndërkohë i jepni bujqësisë peshën kryesore.

Në fillim të nëntorit, ndër të tjera, Braçe kërkoi më shumë kontroll mbi shpenzimet dhe zbatimin në kohë të investimeve, ndërsa vuri në dukje se të ardhurat do të rriten vetëm duke vendosur barazi në taksim.

Shpenzimet bëhen në fund të vitit, është keq-qeverisja. Çalon puna dhe duhet më shumë kontroll i monitorimit të këtyre punëve. Të ardhurat mund të realizohen por s’po kalojmë dot më shumë se 30% të PBB-së. Ose kemi frikë, ose shkojmë aty ku nuk duhet. Duhet barazi dhe të ardhurat janë të garantuara. Të shkojmë te kapitali!

Pas diskutimeve në parim në komisionet parlamentare, projektbuxheti 2023 si dhe Paketa Fiskale që e shoqëron do të diskutohen të mërkurën në seancë plenare, për t’u rikthyer sërish në komisionet parlamentare për shqyrtimin nen për nen. Në parim u miratua edhe Paketa Fiskale.