Bota

OKB: Çdo 11 minuta vritet një grua nga një anëtar i familjes së saj!

Kryetarja e Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimet (UNODC), Ghada Fathi Waly ka deklaruar së fundmi se çdo 11 minuta një grua ose një vajzë vritet nga një anëtar i familjes së saj. Kjo deklaratë u dha dje me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Luftën kundër Dhunës ndaj Grave 2021. Waly theksoi se të drejtat e grave janë shkelur dhe ulur ndjeshëm, për shkak edhe të pandemisë COVID-19 dhe se ato kanë vështirësi serioze për të kërkuar të drejtat e tyre ose për të marrë mbështetjen që u nevojitet gjatë këtij procesi.

Waly theksoi se një e pesta e të gjitha vrasjeve të grave në mbarë botën shkaktohet nga dhuna në familje. Më tej Waly u bëri thirrje vendeve anëtare të OKB-së që të bashkëpunojnë në zbatimin e masave efektive të mbrojtjes për të parandaluar dhunën ndaj grave. Ajo tha se duhet të ndërmerren veprime urgjente për të parandaluar dhunën me bazë gjinore dhe për të mbrojtur jetën dhe të drejtat e grave dhe vajzave.

Pandemia e COVID-19 e ka keqësuar gjendjen e sigurisë së grave në shtëpitë e tyre dhe në hapësirat publike. Raporti i përgatitur nga zyra e Kombeve të Bashkuara për gratë, UN Women, arrin në përfundimin se 1 ndër 2 gra pranon se ajo vetë ose një grua që njeh ka pësuar dhunë gjatë pandemisë.

Raporti tregon se ndjenja e sigurisë tek gratë është tkurrur, duke sjellë pasoja të rënda negative për mirëqenien e tyre mendore dhe emocionale. Raporti vjen në prag të fillimit të 16 ditëve aktivizmi global kundër dhunës me bazë gjinore, nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor. Drejtoresha Ekzekutive e UN Women, Sima Bahous thotë se kriza globale e dhunës kundër grave rëndohet kur ka kriza të tjera.

Konflikti, fatkeqësitë natyrore të lidhura me klimën, pasiguria ushqimore dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, të gjitha kontribuojnë që gratë dhe vajzat të jetojnë me një ndjesi rreziku, madje edhe në shtëpitë, lagjet ose komunitetet e tyre.

Një efekt të tillë keqësues pati edhe pandemia e koronavirusit.

Pandemia e COVID-19, që bëri të nevojshëm izolimin dhe distancimin shoqëror, mundësoi një pandemi të dytë në hije të dhunës ndaj grave dhe vajzave, ku ato shpesh u gjendën në izolim me abuzuesit e tyre. Të dhënat tona të reja nënvizojnë urgjencën e përpjekjeve të bashkërenduara për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje.