Bota

OKB-ja e shqetësuar nga ekzekutimet e fundit talebane në Afganistan!

Kombet e Bashkuara shprehen se janë “shumë të shqetësuar” për një video në të cilën shihen militantë talebanë duke ekzekutuar anëtarët e një grupi kryengritës afgan. Në këtë video, që është shpërndarë kudo në rrjetet sociale, shihen dy grupe njerëzish, disa të Frontit Kombëtar të Rezistencës, grup që kryesisht operon në Luginën e Panjshirit, të cilët janë me duar të lidhura mbrapa shpinës, kur qëllohen me pushkë automatike nga luftëtarët talebanë.

Richard Bennett, raportues special i Kombeve të Bashkuara për Afganistanin deklaroi:

Jemi shumë të shqetësuar për dyshimet rreth ekzekutimeve pa gjyq në Panjshir. Duke rikujtuar detyrimet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, bëj thirrje për hetim të plotë e që nga përgjegjësit të kërkohet llogari. Jam duke ndjekur nga afër situatën.

Agjencia e lajmeve AFP, citoi një zëdhënës taleban i cili bëri të ditur se autoritetet janë duke hetuar këtë çështje. Më herët gjatë javës, talebanët raportuan se kanë vrarë të paktën 40 luftëtarë të Frontit Kombëtar të Rezistencës në Panjshir. Sibghatullah Ahmadi, zëdhënës i këtij grupi, i ka konsideruar vrasjet “krime lufte” dhe i bëri thirrje misionit të OKB-së në Afganistan që të “përmbushë detyrimet, jo vetëm për ata që janë të shqetësuar, por edhe që të inkurajojë banorët që të përmendin talebanët, të dënojnë krimet e tyre e t’i bëjnë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që të marra masa të menjëhershme”.

Zyra e OKB-së për Afganistanin ka akuzuar talebanët për shkelje të shumta të të drejtave të njeriut, prej nga koha kur militantët kanë marrë pushtetin në gusht të vitit 2021, në muajin kur misioni ushtarak ndërkombëtar, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara u largua duke i dhënë fund prezencës 20-vjeçare.

Talebanët ishin në pushtet në mesin e viteve ‘90 e deri pak kohë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 kur amerikanët i luftuan për faktin që refuzuan të dorëzonin Osama Bin Ladenin, organizatorin e atentateve në Amerikë e që ndryshuan botën.