Bota

OKB paralajmëron sërish, lufta mund të shkaktojë krizë globale për ushqim!

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka njoftuar se lufta Rusi-Ukrainë mund të shkaktojë shumë shpejt një krizë globale të ushqimit që mund të zgjasë për vite.

Ai tha se lufta ka përkeqësuar pasigurinë ushqimore në vendet më të varfra për shkak të rritjes së çmimeve, ndërsa disa vende mund të përballen me mungesë buke afatgjatë, nëse eksportet e Ukrainës nuk rikthehen në nivelet e paraluftës.

Konflikti ka ndërprerë furnizimet nga portet e Ukrainës, të cilat dikur eksportonin sasi të mëdha vaji për gatim, drithëra si misri dhe gruri. Sipas OKB-së kjo situatë e çmimeve, krahasuar me një vit më parë është rritur me 30%.

Duke folur në Nju Jork, Guterres tha se konflikti dhe pandemia kërcënojnë sigurinë ushqimore, e cila do të pasohet me kequshqyerjen dhe urinë.

“Ka mjaft ushqim në botën tonë tani nëse veprojmë së bashku. Por nëse nuk e zgjidhim këtë problem sot, ne do të përballemi me spektrin e mungesës globale të ushqimit në muajt e ardhshëm”, shtoi më tej ai.

Rusia dhe Ukraina prodhojnë 30% të furnizimit me grurë në botë dhe para luftës Ukraina shihej si shporta e bukës në botë, duke eksportuar 4.5 milion ton prodhime bujqësore në muaj përmes porteve të sa, sipas BBC.

Që kur Rusia filloi pushtimin e saj në fund të shkurtit, eksportet kanë rënë dhe çmimet janë rritur  shumë. Kjo situatë u përkeqësua edhe më shumë kur India ndaloi eksportet e grurit të shtunën.

OKB tha se rreth 20 milionë tonë drithë kanë ngecur aktualisht në Ukrainë dhe nëse ky drith do të dalë në treg, situata do të përmirësohet ndjeshëm.