Aktualitet Bota

OKB, projekt-rezoluta e Shqipërisë e Amerikës kundër aneksimit rus të 4 rajoneve ukrainase!

Dhjetë vende votuan në favor të projektrezolutës së paraqitur nga Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, kundër aneksimit rus të rajoneve të Ukrainës. OKB-ja i bën thirrje Moskës që të tërhiqet menjëherë nga Ukraina. Siç pritej, Rusia vuri veton ndaj një rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që dënonte aneksimin rus të territoreve të Ukrainës si shkelje të ligjit ndërkombëtar. Katër vende në organizmin më të fuqishëm të OKB-së me 15 anëtarë, abstenuan. Këto ishin Kina, India, Brazili dhe Gaboni.

Ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, e kritikoi votimin e projektrezolutës si një provokim dhe një akt haptazi armiqësor. Pritet që projektrezoluta ose një e ngjashme të paraqitet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për votim në ditët në vijim. Në një konferencë për shtyp, këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan deklaroi:

Ushtria amerikane në Europë është e gatshme për çdo eventualitet. Ne nuk shohim ndonjë kërcënim të afërt për përdorimin e armëve bërthamore nga Moska për momentin, por ne vazhdojmë ta monitorojmë situatën shumë seriozisht.

Për NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një politikë të dyerve të hapura, por për momentin ne mbështesim Kievin në mbrojtjen e territorit të tij.

Më herët, Ukraina paraqiti zyrtarisht kërkesën për t’u anëtarësuar në NATO. Presidenti Zelensky i kërkoi Aleancës Veri-Atlantike që të ndjekë një procedurë të përshpejtuar për anëtarësimin e vendit të tij në NATO. Kërkesa e kreut të shtetit pasoi hapat e Moskës që zyrtarizoi bashkimin me Rusinë të katër rajoneve ukrainase që trupat ruse i kanë pushtuar pjesërisht, gjatë agresionit mbi 7-mujor të nisur më 24 shkurt.

Në datat 23-27 shtator, Kremlini organizoi referendume në Donjeck, Luhansk, Kherson e Zaporizhja. Rusia pretendoi pjesëmarrje të lartë, ndërsa Perëndimi nuk i njeh këto referendume, që i quan “false”, në shkelje të ligjit ndërkombëtar. Në kundërpërgjigje, presidenti amerikan, Joe Biden deklaroi se “Amerika është e përgatitur”.